zoom

Politikë

E gjithë qeveria në një dosje: Bashkëshorti i ministres Spiropali në aferën e Arben Ahmetajt

Ministrja e Shtetit Elisa Spiropali ishte e rezervuar gjatë debateve me demokratët në seancën e ditës së sotme në Kuvend. Në një komunikim të pazakontë për të, Spiropali zgjodhi të flasë për shtetin e së drejtës që drejtohet nga Edi Rama.

Narrativa e re e ministres së Shtetit vjen pak ditë pasi SPAK kërkoi  arrestimin  e kolegut të saj, Arben Ahmetaj me një dosje prej 12  faqesh dërguar Kuvendit. Dosje ku  përmendet dhe bashkëshorti i saj.

Sipas mediave në vend, Prokuroria e Posaçme ka konstatuar se biznesmeni në kërkim, Klodian Zoto, i konsideruar si një prej personave kyç të aferës së inceneratorëve, ka shërbyer si këshilltar i drejtorit të Ujësjellësit të Fierit në periudhën nga janari 2013 deri në gusht 2014. SPAK ka evidentuar se emërimi i Zotos në Ujësjellësin e Fierit është nënshkruar nga drejtori i asaj kohe, Salarjon Totaj, bashkëshorti i Ministres së Shtetit, Elisa Spiropali.

Emërimi si këshilltar i një individi është në tagrin e titullarit të institucionit dhe nuk do të kishte asnjë lloj problemi, nëse nuk do të zbulohej se ortakët dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të tij, kanë pasur interesa të rëndësishme financiare tek Ujësjellësi i Fierit.

Prokuroria e Posaçme ka identifikuar se shoqëria “Teo Alb” ka fituar kontratën për vendosjen e matësave të ujit me sistem elektronik kanë shkuar në Fier. Sipas të dhënave të siguruara nga SPAK, shoqëria “Teo Alb” i ka shitur Ujësjellësit të Fierit shërbime në vlerë 391.228.156 lekë të reja ose mbi 3.5 milionë euro.

Kompania “Teo Alb” ka lidhje të ngushta dhe ortakërie me shoqërinë “Integrated Technology Service” të Klodian Zotos, që në atë kohë ishte këshilltar i burrit të Elisa Spiropalit.

Po ashtu, “Teo Alb” ka lidhje edhe me miqtë e ngushtë dhe bashkëpunëtorët e Zotos, konkretisht Mirel Mërtirin dhe bashkëjetuesen e këtij të fundit, Stela Gugallja.

SPAK ka zbuluar se Mirel Mërtiri ka qenë i punësuar në kompaninë “Teo Alb”. Po ashtu, edhe Stela Gugallja ka rezultuar si e punësuar pranë shoqërinë “Teo Alb” që ka marrë 3.5 mln euro nga Ujësjellësi i Fierit.

Ndërkohë, shoqëria “Teo Alb” dhe “ITS” e Klodian Zotos janë aksionerë në një tjetër kompani, të quajtur “Metronet”.

Pra, të dhënat e siguruara nga SPAK-u krijojnë dyshime të forta se “Teo Alb” që ka marrë miliona nga Ujësjellësi i drejtuar nga Salarjon Totaj, përfaqëson interesa të grupit “Zoto-Mërtiri-Gugallja”.