zoom

In Zoom

E gjithë PS në mbrojtje të biznesmenit që u rrah me ish-deputetin e PD

Prej 3 ditësh, Partia Socialiste është vënë në mbrojtje të biznesmenit Gjergj Luca, i cili u përplas fizikisht me kandidatin e PD në Elbasan, Luçiano Boçin, një pedagog i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.

Ministra, deputetë dhe vetë kryeministri janë reshtuar në krah të biznesmenit, duke përdorur një togfjalësha si “biznesmen i ndershëm, punëdhënës i madh”.

Por si ndodhi përplasja, cili qe motivi i saj dhe përse PS po mbron një biznesmen që rrihet me grushta me një politikan dhe nuk dënon në bllok të gjithë ngjarjen, si një shfaqje që paralajmëron një fushatë të egër politike?

Luçiano Boçi dhe Gjergj Luca u përleshën përpara një lokali në labinot.

Boçi tha se Luca e kishte ofenduar, e kishe kërcënuar me jetë dhe ishte afruar për ta goditur.

Kur i është afruar, ish –deputeti ka reaguar duke e goditur.

Luca pretendon se ishte ish –deputeti ai që ka nisur sherrin, por pa dhënë shumë detaje.

“Z.Boçi ishte me një njeri duke bërë bisedë te dera, unë isha duke hyrë duke pirë kafe”, ishte deklarata e tij.

Top Channel, një media tërësisht në shërbim të qeverisë, u vu nën akuzë nga Boçi, se kishte manipuluar me një video që tregonte se ishte Boçi ai që grushtonte biznesmenin dhe sipas këtij televizioni, ai i merrte më pas edhe celularin, një version që u tha fillimisht nga Luca, por që u mohua nga Boçi.

Por videoja tregonte vetëm një pjesë të ngjarjes dhe jo si nisi dhe përse nisi sherri.

Cili që motivi i përplasjes?

“Ky agresion është për motive politike”, thotë Luçiano Boçi. “Erdhi për të më rrahur dhe iku i rrahur” sqaroi ai momentet e videos ku duket duke qëlluar biznesmenin.

Për të treguar se kishte qenë ai viktimë e sulmit të sipërmarrësit, tha se kishte shkuar menjëherë në prokurori.

Edhe eksponentë të PS thonë se përplasja ishte politike.

Por cilat janë mosmarrëveshjet me sfond politik mes një biznesmeni dhe një politikani të opozitës që po bën fushatë në zonën e tij elektorale dhe cila është lidhja e biznesmenit me politikën?

Gjergj Luca nuk e ka fshehur asnjëherë lidhjen e tij me PS dhe simpatinë për Edi Ramën, ndërsa PD ka mbështetur vazhdimisht shqetësimin e disa banorëve se ai nuk respekton rregullat mjedisore në biznesin e përpunimit të peshkut që ka ngritur mes Elbasanit dhe Librazhdit.

Ai e ka shfaqur publikisht simpatinë për kryeministrin, teksa në “Qytetin e Peshkut – Fish City” muret e godinave i ka bojatisur me portrete e thënie të Edi Ramës, mes atyre të rilindasve të vërtetë të Shqipërisë.

Edi Rama, deputetë të PS, si Taulant Balla apo Gledian Llatja janë parë shpesh në aktivitete të ndryshme me të.

Taulant Balla duket se ka lidhjen më të ngushtë me të. Atij iu desh të ndërpriste një lidhje direkte me një emision që po trajtonte sherrin e Lucës me Boçin kur gazetari Bledian Koka i vuri në dukje se ai po e mbronte biznesmenin duke folur nga restoranti i tij.

Për shkak të këtyre lidhjeve, shpirtërore e shoqërore, Partia Socialiste është reshtuar krah biznesmenit, që po viktimizohet prej saj, se u sulmua nga një profesor si Luçiano Boçi, i cili deri tani në përplasjen me Lucën nuk ka treguar ndonjëherë shenja të agresivitetit, në mos është kritikuar për qëndrimet e tij tepër të qeta edhe në situata kritike.

Kupola e PS dhe qeverisë po përpiqet ta mbajë gjallë këtë debat, për ta sulmuar PD-në si një forcë politike agresive.

Taulant Balla bëri një reagim 2 ditë më parë. Erion Braçe 1 ditë më pas dhe sot Edi Rama foli sërish për këtë çështje.

Rama shpreu vlerësime për biznesmenin dhe tentoi ta viktimizonte atë dhe vetë PS-në, për të nxjerrë në pah se agresioni ishte kryer nga ish-deputeti i PD.

“E pamë këtu në Elbasan pak ditë më parë dhe ju ftojmë të gjithëve ta imagjinoni sikur grushtuesi i një sipërmarrësi të madh këtu në Elbasan, si Gjergj Luca, të kishte qenë cilido prej nesh, cilido prej djemve e burrave që janë këtu në tavolinë. Imagjinoni sikur grushtuesi i një sipërmarrësi, grabitësi i telefonit të tij, të ishte Taulanti, apo Luani, apo Florenci, cilido qoftë, çfarë do të ishte bërë dhe çfarë do të kishin bërë, e sa emaile e telefonata, llumi e balte do të kishin derdhur nëpër Evropë, e sa shumë do të kishin vënë kujën”, tha Rama sot nga Elbasani.

“Grushtet janë përgjigja simbolike ndaj agresionit, padrejtësive dhe arrogancës”, iu përgjigj Luçiano Boçi, për të treguar se ai kishte qenë i detyruar për të reaguar në atë formë, qoftë edhe ndaj një sipërmarrësi kur vendos të përleshet me grushte për shkak të bindjeve të tij politike. ©Zoom.al

Boçi-Ramës: Po të kisha unë telefonin e Lucës dhe të nxirrja çfarë ka brenda nuk do bënim zgjedhje fare

Plas sherri midis Gjergj Lucës dhe Luçiano Boçit, ish-deputeti: Më kërcënoj me jetë