zoom

Aktualitet

Dyshohet se favorizoi djalin e Tom Doshit pas aksidentit, pezullohet shefi i Rrugores në Lezhë

Prokuroria e Lezhës njoftoi së fundmi se ka nisur hetim për Drejtorinë Vendore të Policisë të këtij qarku, ku përfshihen drejtuesit e uniformave blu.

Burime policore bëjnë me dije se Gjykata ka urdhëruar pezullimin nga puna të shefit të qarkullimit rrugor në Lezhë, Ismet Sula.

Vendimi është marrë pas nisjes së hetimeve në lidhje me një aksident të ndodhur para pak ditësh, në rrugën nacionale Lezhë-Laç. Në këtë aksident është përfshirë djali i ish-deputetit Tom Doshi, i cili ka përplasur një tjetër mjet ku po udhëtonin një çift bashkëshortësh.

Sipas hetimeve, dyshohet se djali i Tom Doshit ka qenë fajtor, por është ndihmuar dhe favorizuar nga policia për t’u larguar nga vendngjarja. Hetimet do vijojnë për të zbuluar nëse policia ka kryer veprimet sipas ligjit.

Efektivët dhe shefi i pezulluar akuzohen për “shpërdorim detyre”. Ndërkohë Prokuroria po heton edhe shefat dhe drejtuesit e tjerë të policisë së Lezhës për të zbuluar se kush ka urdhëruar favorizimin e djalit të Tom Doshit. /ZOOM.AL/