zoom

Lajme

“Jam 100% grua”/ Pezullimi që tronditi volejbollin shqiptar, çfarë duhet të dini rreth çështjes “Nayara”

“Jam 100% grua”/ Pezullimi që tronditi volejbollin shqiptar, çfarë duhet të dini rreth çështjes “Nayara”

Volejbolli shqiptar është përfshirë në një debat të fortë ditët e fundit pas një rasti të pazakontë që lidhet me dyshimet mbi gjininë e një sportisteje. Në qendër të vëmendjes është volejbollistja braziliane e Dinamos, Nayara Ferreira, e cila është pezulluar përkohësisht nga Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV), pas ankesave të disa ekipeve rivale që dyshuan se ajo mund të ishte burrë.

Ky vendim i federatës ka ngjallur reagime të shumta, përfshirë edhe klubin Dinamo, i cili e ka cilësuar këtë veprim si cenim të dinjitetit njerëzor, duke theksuar se Ferreira, 32 vjeç, ka një karrierë 15-vjeçare në volejboll dhe ka luajtur në disa vende të Bashkimit Evropian.

Sportistja braziliane, që jeton e vetme në Tiranë në një banesë të ofruar nga klubi, po përgatit një padi ndaj atyre që ngritën dyshimet dhe përhapën lajmin. Ajo ka reaguar publikisht, duke e cilësuar situatën si një padrejtësi dhe përbaltje të rëndë.

“Ka qenë e tmerrshme dhe e vështirë, por njerëzit do të pendohen që kanë bërë këtë padrejtësi, sepse unë jam thjesht një vajzë që është e lirë dhe që ka të drejtën të ekzistojë, për t’u veshur dhe për të vepruar ashtu si ndjehem mirë dhe e vërtetë. Unë nuk jam një grua e rreme, jam një grua e fortë, me shumë luftë pas vetes. Gjithmonë kam luftuar për të arritur qëllimet e mia dhe nuk do ta pranoj që këta njerëz të më rrëzojnë dhe të më përbaltin pa asnjë arsye. Unë jam unë, Nayara, dhe jam e lirë të jem ajo që dua të jem, ashtu si të gjitha gratë në këtë botë,”- është shprehur volejbollistja në një mesazh për programin “Shqipëria Live”.

Në një tjetër deklaratë për mediat shqiptare, ajo ka sqaruar se është “100% grua”, ndërsa e ka cilësuar gjithë këtë situatë si diskriminuese dhe të papranueshme.

“Jam 100% grua dhe kjo është diçka që nuk kam pse ta shpjegoj. Nuk është e nevojshme t’ju them se jam femër, që kam lindur femër. Ju vetëm keni vënë re si vishem, sa të gjatë i kam flokët, fizikun tim, nëse kam muskuj apo tatuazhe. Vetëm kaq. Ajo që keni bërë është diskriminim. Dhe mendoj se kush diskriminon dikë, e ka të vështirë të flejë i qetë. Kjo është çnjerëzore dhe e papranueshme. Nuk e di si mund të flejë presidenti juaj i federatës në një situatë të tillë. Si mund të flejë ai me këtë në ndërgjegje? Kjo është pyetja ime,”- është shprehur ajo.

Ngjarja ka kaluar përtej kufijve shqiptarë, duke tërhequr vëmendjen e mediave braziliane, të cilat e kanë cilësuar pezullimin si një rast “të mbushur me paragjykime dhe transfobi”.

Rasti i Nayara Ferreira-s konsiderohet si i parë i tillë në historinë e volejbollit shqiptar, ku një sportiste pezullohet përkohësisht për “verifikim gjinor”./Zoom.al

Postime të lidhura