Aplikacion
Aktori i njohur i humorit Agron Llakaj ka prekur ndjekësit me një dedikim emocionues për bashkëshorten e ndjerë, Kostandinën, në dyvjetorin e ndarjes së saj nga jeta.
Përmes një postimi në “Instagram”, aktori ka ndarë një letër të gjatë dhe prekëse, ku rrëfen mallin dhe dhimbjen që vijon të ndiejë për partneren e jetës, ndërsa kujton momentet e tyre së bashku dhe familjen që ndërtuan.
“Dhe tani jam unë ai që shkruaj letra dhe që nuk lexohen nga Ty por dua të bind veten se je”, shkruan ai në nisje të letrës.
Në dedikimin e tij, Agron Llakaj kujton kohën kur ishte ushtar dhe Kostandina i dërgonte letra çdo javë, ndërsa sot është ai që i shkruan asaj, edhe pse e di se nuk do t’i lexojë kurrë.
Aktori flet edhe për fëmijët dhe nipërit, duke treguar se përpiqet të jetë pranë tyre në çdo moment, ndërsa një pjesë të veçantë të mesazhit ia kushton mbesës së tij, Adeas.
“Adean ma ke lënë si oksigjen në jetën time, ajo ma mbush shtëpinë dhe shpirtin…, por Ty ahhh Ty sa të ka dashur…, shumë herë ka ardhur me mua te banesa jote në qytetin e heshtur e shtëpinë tonë e ka mbuluar me fotot e tua”, shkruan ai.
Në letrën prekëse, Agroni rrëfen edhe momentet kur mbesa e tij vesh rrobat e Kostandinës, duke i rikthyer kujtimet e së kaluarës.
“E shikoj dhe sytë më mjegullohen nga lotët…”, shprehet aktori.
Ai tregon gjithashtu se nipërit e kujtojnë shpesh Kostandinën dhe flasin për të me mall.
“‘Gjyshi, do më bësh dy dhurata për Krishtlindje!’- më tha Teos. ‘Sepse do më japësh edhe dhuratën nga nëna Kostandina, se ajo na shikon nga lart’”, shkruan Agroni.
Në fund të dedikimit, aktori shpreh dhimbjen për mungesën e bashkëshortes, por edhe forcën për të vazhduar përpara.
“Mungesë torturuese por jetoj… Unë i di ëndrrat dhe amanetin e pa lënë për fëmijët Kostandina, se e sa herë kemi folur dhe si misionari yt këtu, do luftoj e nuk do dorëzohem kurrë!”, përfundon ai.
Dedikimi i plotë i Llakajt:
“24/05/2024.., Dy vite pa Ty.
Sot vendosa të të shkruaj…,të kujtohet e shenjta Kostandina, dikur kur ushtar isha, ti më shkruaje vazhdimisht dhe e vetmja gjë që i shtynte ditët e mia ishte letërkëmbimi me ty, në çdo javë më vinte një letër.
Besoj e ke parasysh atë novelën e autorit turk Sabahattin Ali “6 letra të pa dërguara!”… hera e parë që më the – mos ma trego, dua ta lexoj vet!
“Një nënë që rriste e vetme të birin dhe ngaqë i shoqi i kishte braktisur duke u zhdukur pa adresë, ajo e rriti të birin me idenë se babai ishte diku larg dhe i shkruante gjithmonë letra.., letra të pa lexuara kurrë”
Dhe tani jam unë ai që shkruaj letra dhe që nuk lexohen nga Ty por dua të bind veten se je.
E dashur Kostandina!(Nina)
Jemi mirë! I ndjek në çdo çast e moment fëmijët tanë por të rritur dhe zotër në jetët e tyre, kurse nipat…,vrapoj t’i shikoj, shijoj, loz e qesh, e zhytem në përqafimin e tyre, janë dashuri e madhe…
Adean ma ke lënë si oksigjen në jetën time, ajo ma mbush shtëpinë dhe shpirtin…,por Ty ahhh Ty sa të ka dashur…, shumë herë ka ardhur me mua te banesa jote në qytetin e heshtur e shtëpinë tonë e ka mbuluar me fotot e tua.
Ti që e rrite e mban shumë mirë mend kur e vogël, vishte rrobat e tua dhe ne shkriheshim së qeshuri…, e sot ajo sërish i rivesh e provon dhe më thotë – hë gjysh si më rrinë?!
E shikoj dhe sytë më mjegullohen nga lotët…
Edhe Teos e Brus po rriten shpejt e të bukur…, herë pas here kujtohen dhe të kërkojnë.
“Gjyshi, do më bësh dy dhurata për Krishtlindje!” – më tha Teos
Pse?! – i thash
“Sepse do më japësh edhe dhuratën nga nëna Kostandina, se ajo na shikon nga lart e të thotë bëji dhurata edhe nga unë Teos-it dhe Brus!” – u përlota.
A më thua mërzitem, a më thua qaj, a më thua – të mungoj?!
Të kërkoj në ëndrra, më vjen, zgjohem i vetmuar deri në ëndrrën tjetër.
Mungesë torturuese por jetoj…., unë i di ëndrrat dhe amanetin e pa lënë për fëmijët Kostandina, se e sa herë kemi folur dhe si misionari yt këtu, do luftoj e nuk do dorëzohem kurrë!
Sa gjatë dua të shkruaj por Ti s’më lexon…,
S’mundem më…por, do të të shkruaj sërish por në ditëlindje, sepse nuk dua të të kujtoj në këtë ditë Kostandina ime… Ti jeton në mua e mes nesh përgjithmonë.”