zoom

Ide & Blog

Dy fytyrat e fushatës

Dy partitë e mëdha nisën dje fushatën. Pamë dy fytyra krejtësisht të ndryshme. Pamë një fytyrë të freskët, të motivuar të zotit Basha, plot vizion dhe me një ritëm të brendshëm si një makinë “Ferrari”, që xhiron gomat dhe është gati për një garë të fuqishme, por pret rregullat e lojës, të ndizet semafori i gjelbër.

Ndërsa Rama nuk ishte në ditën më të mirë të tij. Por duket se ka një qëllim, të konservojë, të ruajë. Është rojtar i asaj çfarë ka fituar deri më sot. Ndërsa sfidanti real i këtij momenti duket zoti Basha. Kryeministri, në 2/3 e fjalës së tij, duke u vonuar e zvarritur në hapjen e petave të një lakrori të stërparë, u mor me Berishën, Metën, Bashën dhe jo me projekte, me të ardhmen.

Liderin e opozitës e quajti dhëndër, por dhëndri është gjë e mirë, figura më e bukur e një feste. U mor me vonesën mitingut të opozitës e kjo ishte edhe kocka për t’u marrë, duke sharë me një gjë që të sharë s’kishte. Nervozizmi i Kryeministrit ishte fakti që performanca e zotit Basha ishte fantastike, që të kujtonte fushatat amerikane.

Ata që duan të kapërcejnë diçka të vjetër janë inovatorë, ndërsa te Rama shoh një njeri që ka humbur atë dinamizmin, surprizën, që zvarg fjalën si Fidel Kastro, që mbante rekorde për fjalime deri në 7 orë. Fjalën e udhëheq qëllimi dhe qëllimi i Bashës është që t’i thotë pjesës gri, që zë 25- 30%, koalicionit opozitar, që ne jemi një ndryshim bindës dhe jemi përgjigjja e sëmundjes që shqiptarët po kalojnë këtë kohë, dhe s’po flasim për COVID-in, por për plagë më të pashërueshme se ai, që lidhen me papunësinë, mungesën e një drite në fund të tunelit të një tranzicioni që s’po mbaron.

Ai tha që ne jemi fundi i tranzicionit dhe fillimi i një faqeje të re të historisë së Shqipërisë. Një deklaratë e fortë që nënkupton një divorc me të vjetrën në politikë, qoftë kjo e majtë apo e djathtë. Ndërsa Rama dukej si një vjehrrë e braktisur. Rama duhet të merret me vizionin e tij, me vetëpastrimin dhe vetëkorrigjimin dhe trajektoret e gabuara.

Ai shkon në fushatë me mamuthë të korrupsionit, siç thotë Berisha, që kanë bërë miliarda me tenderë, si Damian Gjiknuri që di mirë anglisht, por edhe di të numërojë mirë… Sot s’u dëgjua fare Luljeta Bozo, ajo i bën nder Partisë Socialiste. Apo mjekja, Çomo, që janë diamanti i kësaj liste. Ato duhet të ishin kryefjala, sepse përtej moshës, ato kanë një të re morale. Siç ka të re morale Flutura Açka te Partia Demokratike.

Por Kryeministri është një mjeshtër me shkëndija gjeniale për të rrëmbyer kohën që s’është e tija; ka rrëmbyer kohë të të tjerëve, ka ndërhyrë; i ka nxjerrë nga loja; ai është aty falë zotësisë së tij, sepse ka performuar në mënyrë absolute. Por nuk është Lul Basha kundër Ramës, por koha që ka kaluar, e trishta. Të dish të dalësh nga skena politike kur është koha e duhur, është gjë e mirë, jo për moshë, por për faktin që ka bërë deri tani kompromise me njerëz të caktuar. Kjo është drama e tij, por drama e tij nuk është e shqiptarëve. Marrë nga “Frontline”, “News 24”