Aplikacion
“Jam i tronditur teksa shoh që njerëz të lënë pas kërkojnë që t’u jepet edhe një mundësi për të marrë frymë sërish. Ne e dimë se çfarë është të jetosh në diktaturë dhe çfarë do të thotë të jesh i huaj që kërkon strehë diku tjetër. Kjo është ajo që ne jemi; është nder dhe detyrë për ne”, deklaroi Rama për The Guardian.
Media britanike thotë se udhëheqësit e Shqipërisë dhe të Kosovës deklaruan ditën e diel se kishin pranuar një kërkesë amerikane për të strehuar përkohësisht refugjatë politikë afganë. Vendimet e tyre mbërrijnë në një kohë shqetësimesh se anëtarët e NATO-s nuk po përgjigjen shpejt në evakuimin e afganëve që bashkëpunuan me ta, që janë nën kërcënimin e raprezaljeve talibane.
Rënia e Kabulit rihapi ndasitë e mëdha në Europës sa u takon refugjatëve, teksa udhëheqësit e BE dhe vendeve anëtare të saj po përgatiten për një valë të re emigrantësh nga Afganistani.
Për The Guardian, Kryeministri Rama tha “se nuk e kuptonte dot se si vendet e pasura u kishin kthyer shpinën afganëve”.
“Kjo bie ndesh me vlerat që të gjithë predikojmë. Shqipëria nuk mund ta zgjidhë problemin, por as që duam të jemi pjesë e problemit”, tha Rama.
Përllogaritet se në 10 ditët e fundit çdo ditë janë larguar mbi 30 mijë afganë nga vendi, shifër që mund të jetë shumëfishuar pas rënies së Kabulit dhe skenave të regjistruara në aeroportin e tij.