zoom

Aktualitet

Dosja “Partizani”/ Berisha thirret të mërkurën në SPAK

Ish-kryeministri Sali Berisha do të thirret të mërkurën në SPAK për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Berishës do t’i komunikohet akuza nga trupa gjykuese në seancën që pritet të nisë në orën 12.00.

Në të njëjtën ditë, por dy orë më vonë do të paraqitet në SPAK edhe Jamarbër Malltezi, për t’u njohur me përfundimet e dosjes “Partizani”.

Ndaj Malltezit Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për akuzat për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani” në Tiranë. Malltezi akuzohet për “korrupsion aktiv”.

Ndërkohë edhe për Berishën, Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për akuzën “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.

Sipas vendimit, Berisha nuk duhet të largohet nga banesa dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën shtëpi me të.