zoom

Aktualitet

“Dorëzim i shtetit përballë mafias”/Dom Gjergj Meta reagon mbi legalizimin e kanabisit

Ipeshkvi i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta është shprehur kundër nismës së qeverisë për legalizimin e kanabisit. Në një reagim gjatë ditës së sotme, pas deklaratave të kryeministrit Rama ai thotë se “nuk dua të besoj se një nismë e tillë është dorëzim i shtetit përballë mafies së kultivimit të lëndëve narkotike”.

Në reagimin e tij, Meta e konsideron legalizimin e kanabisit si Kalë Troje i drogave më të rënda në jetën e shumë të rinjve.

“Ky legalizim mund të jetë gjithashtu paradhoma e shumë fenomeneve të tjera të dëmshme për shoqërinë, sikurse monopolet apo logjikat mafioze. Personalisht më çudit fakti që një popullsi aq “konservatore” si kjo e jona qenka aq pro legalizimit të kanabisit, nëse është e vërtetë që procesi i konsultimit nga ana e qeverisë ka sjellë në këto rezultate”, shkruan Dom Gjergj Meta.

Reagimi i Dom Gjergj Metës

LEGALIZIMI I KANABISIT SI KALË TROJE …

Për momentin po kufizohem të them se legalizimi i kanabisit (qoftë edhe për qëllime kinse mjekësore) është Kali i Trojës i drogave më të rënda në jetën e shumë të rinjve, sidomos në një vend ku ka papunësi dhe varfëri midis tyre. Ky legalizim mund të jetë gjithashtu paradhoma e shumë fenomeneve të tjera të dëmshme për shoqërinë, sikurse monopolet apo logjikat mafioze.

Personalisht më çudit fakti që një popullsi aq “konservatore” si kjo e jona qenka aq pro legalizimit të kanabisit, nëse është e vërtetë që procesi i konsultimit nga ana e qeverisë ka sjellë në këto rezultate.

Nuk do të doja të besoja se disa nga këto ide janë si dikur “…me propozim nga poshtë e vendim nga lart” (për kujtesë më 9 maj 2020 kryeministri ka thënë se ka një vit që qeveria po punon me draftin e ligjit për legalizimin e kanabisit, d.m.th. qysh më 2019).

Më keq akoma nuk dua të besoj se një nismë e tillë është dorëzim i shtetit përballë mafies së kultivimit të lëndëve narkotike.

Kaq për momentin për lajmin e mundësisë së legalizimit të kanabisit që u artikulua këto dy ditë.