zoom

Aktualitet

Me maskë silikoni në fytyrë, arrestohet 37-vjeçari në Tiranë! I gjendet armë e eksploziv

Me maskë silikoni në fytyrë, arrestohet 37-vjeçari në Tiranë! I gjendet armë e eksploziv

Një 37-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet për përfshirje në disa ngjarje kriminale kundër personit dhe pronës, si dhe për përgatitje të një tjetër krimi të mundshëm.

Shtetasi me inicialet P. D. u kap pas një ndjekjeje policore, teksa lëvizte me një motomjet pa targa, i dyshuar i vjedhur. Ai nuk iu bind urdhrit të policisë për ndalim dhe tentoi të largohej me shpejtësi, por u ndalua në afërsi të liqenit të Paskuqanit.

Në momentin e arrestimit, 37-vjeçari kishte vendosur një maskë silikoni. Gjatë kontrollit fizik dhe në motomjet, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde eksplozive gati për shpërthim, 10 litra lëndë djegëse, një armë zjarri (pistoletë) me municion, si dhe motomjetin pa targa.

Sipas hetimeve, ai dyshohet se më 3 tetor 2025 ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një banese në Paskuqan dhe më pas ka djegur automjetin e përdorur. Gjithashtu, më 17 tetor 2025 dyshohet se ka vendosur lëndë plasëse në një tjetër banesë, duke shkaktuar dëme materiale.

Operacioni policor i koduar “Kontigjenti” bëri të mundur parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale dhe zbardhjen e rasteve të mëparshme.

Ndërkohë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm dhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera ku mund të jetë përfshirë i arrestuari.

Postime të lidhura