Aplikacion
Dera e ftohtë prej çeliku e qelisë së Nicolas Sarkozy-t u mbyll të martën, ndërsa ish-presidenti francez dhe entuziasti i telasheve ligjore nisi dënimin e tij me burg. Ai është ish-kreu i parë francez i shtetit që përfundon pas hekurave, një fat pothuajse më i keq se sa të të emërojnë kryeministër, që nga bashkëpunëtori nazist Philippe Pétain.
Sarkozy i tha Le Figaro-s se do të merrte me vete një kopje të romanit të Alexandre Dumas, “Konti i Monte Kristos”, i cili rrëfen historinë e një burri që arratiset nga burgu pasi është akuzuar padrejtësisht për tradhti dhe burgosur pa gjyq, si dhe një biografi të Jezus Krishtit.
Por Sarkozy nuk ka kaluar kohën vetëm duke lexuar brenda. Ai gjithashtu ka punuar në ditarin e tij të burgut, dhe ka ndarë një fragment me Politico (në këmbim të një pakete me cigare, monedha më e vlefshme në burgjet franceze).
Prison de la Santé, Paris. Tetor 2025
Sikur të na duhej ndonjë provë më shumë se Franca është një vend shumë më i madh se Shtetet e Bashkuara, të burgosurit francezë nuk janë të detyruar të veshin uniformë, e aq më pak një kominoshe portokalli të ndezur (Carla nuk do të më vizitonte kurrë nëse do të duhej të bëja një gabim kaq të madh mode).
Por ky është një nga lajmet e pakta të mira nga ky ferr (të paktën burgu ndodhet në rrethin e 14-të të Parisit, që është disi i pranueshëm).
Unë po qëndroj në atë që quhet me ironi “krahu VIP” i burgut, që do të thotë se kam dhomën time me televizor, megjithëse nuk është me cilësi “high-definition” dhe nuk mund të shijoj plotësisht programin tim të preferuar televiziv, “L’amour est dans le pré”.
Frika ime më e madhe është se, për shkak të mbipopullimit të burgjeve, një ditë mund të detyrohem të ndaj qelinë me njerëzit që grabitën Luvrin.
Disa gjëra më japin ngushëllim në këto kohë të vështira. Një prej tyre janë emrat e famshëm që kanë qenë në këtë vend ndër vite, përfshirë Carlos the Jackal. Në rolin tim të ri si i burgosur i kalitur — megjithatë i pafajshëm, shumë i pafajshëm — ndoshta duhet të kem edhe unë një nofkë.
Më kanë quajtur më parë “President Bling-Bling”, që më pëlqente mjaft, dhe “Le Top Cop”, por kjo e fundit mund të mos pritet mirë nga shokët e mi të burgut.
Duke folur për ta, shumë prej këtyre të burgosurve janë jashtëzakonisht të pasjellshëm. Ata kanë kënduar me të madhe “Oh Sarko, la ch*tte à ta mère, réveille-toi!” gjatë natës për të më mbajtur zgjuar. Për lexuesit dhe admiruesit e mi anglezë, ajo është një deklaratë jashtëzakonisht shpifëse për nënën time, dhe unë kam urdhëruar avokatët e mi të marrin masa ligjore.
Një tjetër i burgosur i famshëm në këtë vend ishte Michel Vaujour, i cili u arratis me helikopter pasi kërcënoi rojet me një pistoletë të rreme dhe nektarina të lyer si granata.
Gruaja e tij mori mësime për pilotim helikopteri që të mund të ishte pilote e arratisjes. Carla thotë se është shumë e zënë për të marrë mësime të tilla, por unë kam shpresa të mëdha për djalin tim Louis, i cili tashmë është “fluturues” i lindur (është një shaka e vogël kjo).
I dashuri Louis ishte ai që i bëri thirrje mbështetësve të mi të dilnin dhe të më përshëndesnin teksa po shkoja në burg — dhe rreth 100 veta dolën ta bënin këtë. Ja sa shumë më duan njerëzit.
Vaujour gjithashtu u arratis njëherë nga një burg tjetër duke bërë një formë çelësi me lëkurën e një Babybel, por unë kurrë nuk do të ulesha aq poshtë… sa të haja një Babybel (unë preferoj Époisses de Bourgogne).
Nicolas, 70 vjeç.
Nga PAUL DALLISON – Nga rubrika e humorit të Politico.eu