zoom

Aktualitet

Diploma e certifikata false kundrejt mijëra eurove, zbardhet skema e babë e bir! Arrestohen 3 persona

Diploma e certifikata false kundrejt mijëra eurove, zbardhet skema e babë e bir! Arrestohen 3 persona

Një laborator i dyshuar për falsifikimin e dokumenteve është zbuluar nga policia. Si rezultat i hetimeve, në pranga kanë përfunduar tre persona, konkretisht H.M., 53 vjeç, S.M., 24 vjeç, babë e bir, si dhe E.V., 37 vjeç, të dyshuar si të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Sipas policisë, të arrestuarit kishin përshtatur një banesë në fshatin Rrushkull të Durrësit, ku prodhoheshin dokumente të falsifikuara kundrejt pagesave që varionin nga 3 mijë deri në 5 mijë euro.

Gjatë kontrollit në ambientet e përdorura për këtë veprimtari, uniformat blu sekuestruan 46 dokumente të dyshuara të falsifikuara, përfshirë diploma, dokumente shkollore, certifikata, vërtetime gjyqësore dhe dokumente aplikimi për institucione të ndryshme. Po ashtu, u gjetën dhe u sekuestruan dy vula të dyshuara false, gjashtë telefona celularë dhe tre kompjuterë që dyshohet se përdoreshin për realizimin e falsifikimeve.

Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se aktiviteti zhvillohej në mënyrë të organizuar, ndërsa grupi hetimor po punon për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar ose përfituar nga kjo skemë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe dokumentimin e përgjegjësive penale të të gjithë të përfshirëve.