zoom

Aktualitet

Dinamika/ U vra në Ekuador pas arrestimit të lordit të drogës, Dritan Rexhepi, kush është shqiptari

Arjanit Rizaj është 53-vjeçari shqiptar që u ekzekutua mbrëmjen e së enjtes (9 nëntor) në parkingun e urgjencës së spitalit Luis Vernaza, në qendër të Guayaquil.

Ai u vra në një atentat mafioz nga dy persona që udhëtonin me motoçikletë dhe pasi kanë kryer ekzekutimin me të njëjtin mjet me të cilin kishin mbërritur në vendngjarje.

Vrasja e 53-vjeçarit vjen pas arrestimit të lordit të drogës në Ekuador, Dritan Rexhepi, i cili u arrestua në një vilë në Beylikduzu të Stambollit më 8 nëntor.

Mësohet se pas marrjes në pyetje në komisariat, ai është dorëzuar ditën e djeshme (9 nëntor) nga policia në Drejtorinë e Administratës së Emigracionit për t’u ekstraduar në Shqipëri në përputhje me marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gjatë kontrollit në shtëpinë ku fshihej bosi i drogës, u sekuestruan një armë pa leje e mbyllur në një kasafortë çeliku, fishekë, një orë floriri, bizhuteri dhe një sasi e madhe parash.

Nga ana tjetër po hetohen lidhjet në Turqi të kreut të kartelit, i cili u zbulua se kishte hyrë në Turqi nga aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane të lëshuar në emër të “Benjamin Omar Perez Garcia”.

Vrasja e 53-vjeçarit

Arjanit Rizaj ndodhej në parkingun e spitalit Luis Vernaza, në qendër të Guayaquil, kur dy persona me motor i janë afruar makinës së tij dhe e kanë qëlluar tetë herë.

Sipas dëshmitarëve, shqiptari ndodhej brenda automjetit duke pushuar, kur në parking ka mbërritur një motoçikletë e bardhë me dy persona dhe i është afruar makinës së Arjanitit.

Ata dëgjuan një breshëri të shtëna armësh dhe më pas panë motoçikletën duke u larguar me shpejtësi.

Bashkëshortja e viktimës ndodhej pak metra më tutje, në hyrje të spitalit, pasi aty është shtruar babai i saj.

Viktima  po shoqëronte partneren e tij kur iu bë atentati mafioz./Zoom.al