zoom

Aktualitet

Dhunimi i avokatit, 3 autorët e ndiqnin prej ditësh. Ka fraktura në kokë, u godit me grusht metalik

Detaje të tjera nga hetimi dhe rrethanat e incidentit të paprecedentë, sot në mes të ish-Bllokut, ku avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Sokol Mëngjesi, u dhunua nga persona ende të paidentifikuar nga policia.

Gjithçka ndodhi pasi Mëngjesi, ashtu si për çdo ditë, çonte djalin e tij në kopsht. Tre persona, të cilët ka dyshime se kishin planifikuar gjithçka, pasi prej ditësh mendohet se ndiqnin avokatin, i kanë zënë këtij të fundit dhe e kanë dhunuar. Kjo gjë është faktuar dhe nga kamerat e sigurisë të zonës që duket se kanë filmuar gjithçka. Ata kanë pritur sa avokati të linte fëmijën dhe të dilte i vetëm në rrugë.

Sakaq, avokati ndodhet në spital, pasi ka dëmtime në kokë dhe trup, për shkak të goditjeve që ka pësuar nga grushtet, doreza metalike dhe mjete të tjera të forta. Policia tha se po punon për identifikimin e autorëve. Në vendin e ngjarjes ndodhet një grup i posaçëm hetimor i ngritur nga prokuroria dhe Komisariati nr.2.

Ngjarja ndodhi rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Sipas mjekëve, Mëngjesi ka një frakturë në kokë dhe dëmtime të tjera në trup, ndërsa për momentin ndodhet në Urgjencë.

Avokati ka pësuar dy fraktura, dëmtime te zona e ballit dhe pas koke. Nga këto goditje, Mëngjesi ka pësuar dëmtime në pjesën e trurit dhe hemorragji të vogël. Po ashtu ka dyshime se autorët e kanë goditur me dorezë hekuri. Pavarësisht këtyre dëmtimeve, duke iu referuar bluzave të bardha, gjendja e tij paraqitet stabël.

Pritet që avokati të japë deklarimet e tij, ndërsa po bën të gjitha ekzaminimet në spital. Policia ka marrë në pyetje të gjithë qytetarët që janë bërë dëshmitarë të ngjarjes së rëndë, që ndodhi në një zonë të populluar. Shkaqet dhe motivet mbeten ende të panjohura zyrtarisht, por pista e parë mbetet ajo për detyrën. /ZOOM.AL/