zoom

Ekonomi

Dhoma amerikane: Biznesi ka humbur besimin. Korrupsioni, problem shqetësues

Mbi 40 rekomandime për klimën e biznesit, përfshirë sanksione dhe penalitete për zyrtarët e korruptuar si dhe adaptimi i një pikëshënuesi vlerësimi për votën e politikanëve dhe deputetëve mbi legjislacionin për çështje të biznesi ishin disa nga pikat kryesore në konferencën e Presidentit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço me gazetarët. Jaço deklaroi sot se Dhoma Amerikane do t’i paraqesë qeverisë në javët në vijim një paketë me rekomandime për krijimin e një klime të besueshme për investitorët.

Ai tha se rekomandimet vijnë pas shqetësimit në rritje, për mungesën e shtuar të besimit nga komuniteti i biznesit, shoqëria civile dhe investitorët ndërsa përmendi rënien e perceptimit të biznesit në AmCham Business Index, e reflektuar edhe në raporte të tjera ndërkombëtare. “Prej rreth 9 muajsh kemi angazhuar në nivel të lartë ekspertësh për përgatitjen e një pakete rekomandimesh sipas praktikave më të mira botërore. Puna për këtë paketë ka përfunduar dhe do t’i dorëzohet qeverisë në javët në vijim dhe më pas do bëhet publike” bëri të ditur Presidenti i AmCham.

Jaço u ndal tek fenomeni i korrupsionit, një çështje për të cilën Dhoma Amerikane mban qëndrim të prerë.  Ai theksoi rëndësinë e një “programi specifik që të lufton korrupsionin me rezultate konkrete dhe vendos sanksione dhe penalitete të qarta ligjore për zyrtarët e përfshirë”.

Ai tha se një strategji e mirëfilltë për tërheqjen e investimeve të huaja është jetike për vendin ndërsa përmendi “lehtësimin e procedurave dhe uljen e burokracisë, paketa të fuqishme incentivash dhe krijimin e një tregu gjithëpërfshirës ku ulen përqendrimet e tregut dhe monopolet”.

Respektimi i ligjit për Konsultimin Publik dhe rëndësia e modernizimit të sistemit të taksave, fuqizimi i eksporteve, ekonomisë digjitale dhe ri-orientimi i fuqisë punëtore do të jenë pjesë e rekomandimeve të Dhomës Amerikane.

Presidenti i AmCham bëri të ditur se këto shqetësime i janë ngritur Ministrisë së Financave dhe Ministrisë për Mbrojtjen e Sipërmarrjes ndërsa vlerësoi frymën konstruktive me të dyja ministritë në adresimin e këtyre shqetësimeve përmes kësaj pakete rekomandimesh.

Presidenti i AmCham deklaroi se zbatimi dhe implementimi i praktikave për përmirësimin e klimës së biznesit do të ndiqet dhe monitorohet.

Jaço tha se AmCham do të adaptojë praktikën e Dhomës Amerikane në Uashington: Pikëshënuesin për politikanët dhe deputetët për qëndrimet e mbajtura me votat pro apo kundër çështjeve të legjislacionit që lidhen me klimën e biznesit.

Sipas Jaços nëse adresohen mekanizmat e ndërtimit të besimit mundësitë për rritjen ekonomike do jenë të shumta. “Është mirë të ndërgjegjësohemi në lidhje me disa nga avantazhet që gjithmonë kemi pasur në rajon.  Në të njëjtën kohë dy potenciale të reja po bëhen realitet. Jemi në prag të hapjes së negociatave me BE – që do të thotë akses në rritje drejt tregjeve Perëndimore për produktet shqiptare dhe Marrëveshja e Bashkëpunimit Ekonomik mes SHBA dhe Shqipërisë e cila ofron mundësi të shumta investimi” u shpreh Jaço.

Megjithëse këto oportunitete janë të mëdha, Presidenti i AmCham tha se “asgjë nuk do jetë efektive nëse nuk do adresojmë mekanizmat e ndërtimit të besimit dhe sidomos luftën ndaj korrupsionit”.