zoom

Aktualitet

Dhjetëra pushues nga Kosova në protestë për vdekjen e 44-vjeçarit: Mund të kishte shpëtuar. Urgjenca u vonua 1 orë

Dhjetëra pushues nga Kosova kanë protestuar sot në plazhin e Velipojës për vdekjen e një 44-vjeçari një ditë më parë.
Pushuesit thanë se ai mund të kishte shpëtuar, por urgjenca u vonua rreth 1 orë. Mungesa e ndërhyrjes së shpejtë dhe shërbimit shëndetësor është një problem që ata thonë se e hasin çdo sezon pushimesh.

“Më së pari i shprehim ngushëllimet familjes që ka humbur të dashurin e tyre. Për ata jemi këtu për të dhënë një mesazh. Sa herë vijmë këtu kemi humbje të njerëzve. Pushteti e ka këtë detyrë. Po bëjmë apel, më tepër ne po e mbajmë shtetin se ata ne. Mos na bëni më të na shkojnë njerëzit. Ne më këtu nuk vijmë nëse nuk marrin masa”, tha një protestues.

Pushuesit thonë se është përgjegjesi vetëm e urgjencës.

“Më ka ardhur shumë keq që ka shkuar për kujdes të mjekëve. Sepse Emergjenca është vonuar shumë. Ai ka pasur infarkt por mund të shpëtonte. Me sa di sepse isha në shezlong është vonuar më shumë se një orë. Shumë larg më duket për të ardhur Emergjenca. Këtu duhet të jenë të paktën tre Emergjenca. Duhet të ketë vrojtues sepse këtu janë të gjitha moshat, është një kohë që e frekuentojnë të gjithë edhe të vjetër”.

44-vjeçari nga Kosova pësoi infarkt teksa po pushonte në plazh. /Zoom.al