zoom

Aktualitet

Dhjetëra efektivë të implikuar në botën e krimit, Balla reagon për operacionin SKY ECC

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pasi SPAK ka goditur një grup kriminal pas zbërthimit të aplikacionit SKY ECC, ku janë lëshuar 11 urdhër arreste për anëtarët e dyshuar të grupit kriminal, mes të cilëve janë të përfshirë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të policisë së Shtetit.

Në reagimin e tij, Balla shprehet se kjo erdhi si rezultat konkret i hetimeve profesionale nën drejtimin e Prokurorisë Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ndër të tjera ai theksoi se autoritetet po vijojnë punën për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë të shpallur në kërkim, që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë.

Reagimi i plotë:

“Dje pasdite dhe gjatë natës Policia Shtetit ka finalizuar një operacion kompleks të goditjes së krimit të organizuar të përshirë në krime kundër personit dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, rezultat konkret i hetimeve profesionale nën drejtimin e Prokurorisë Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Përgëzoj drejtuesit dhe pjesëmarrësit e Policisë së Shtetit në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit që çoi në arrestimin e të gjithë personave që ndodhen në Shqipëri.

Ndërsa vijon puna për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë. Gjej rastin t’i falenderoj dhe përgëzoj prokurorët për besimin dhe bashkëpunimin. Në rrjetën e këtij bashkëpunimi kanë rënë eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Policisë së Shtetit si dhe persona të tjerë bashkëpunëtorë me ta.

Ky operacion domethënës është konsolidimi i ngritjes në një nivel tjetër të vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij, në funksion të rendit ligjor në të gjithë territorin. Sot gjej rastin të rikonfirmoj besimin e plotë se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët në vetë-pastrimin e Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit”. /ZOOM.AL/