Aplikacion
Informacioni i rremë mund të përdoret “për të manipuluar opinionin publik dhe për të krijuar përçarje brenda shoqërisë. Kjo mund të çojë në trazira sociale, polarizim politik deri edhe dhunë”. Për shkak të këtyre risqeve, përballja me dezinformimin është domosdoshmëri kritike. Risqet dhe pasojat negative të dezinformimit janë rritur në nivele kërcënuese edhe për shkak të lehtësimit që inteligjenca artificial (AI) i ka bërë rritjes marramendëse të shpejtësisë dhe uljes të madhe të kostove të përhapjes së lajmeve të gënjeshtra. Aktualisht AI mund të vetëprodhojë “deepfakes” dhe artikuj me lajme të rrema. Këto avantazhe të inteligjencës artificiale janë lehtësisht të keq përdorueshme në strategjitë disinformuese, sidomos nga vendet që po përdorin dezinformimin dhe hakërimin e websiteve të agjencive qeveritare si pjesë të “armëve inteligjente” për rritjen dhe zgjerimin e influencave të tyre gjeopolitike.
Në këtë përballje me sfidën e dezinformimit janë përfshirë Elaine Kamarck dhe Darrell M. West, dy Senior Fellows në Brookings Institute. Ata sapo kanë botuar librin e tyre “Gënjeshtrat që vrasin: Udhëzues për qytetarët për dezinformimin”. Autorët paralajmërojnë se: “Dezinformimi është më i mundshëm në vendet ku lufta politike ka krijuar një ambient acid”. Sipas tyre, paralelisht me institucionet e pavarura që duhen krijuar, ka shumë rëndësi angazhimi i përkushtuar për t’u treguar qytetarëve të shqetësuar nga dezinformimi se si: (a) ata ta njohin dezinformimin; (b) si ta kuptojnë dezinformimin dhe (c) si të mbrojnë veten dhe të tjerët nga pasojat e dezinformimit. Disa nga pasojat e rënda të dezinformimit përfshijnë: Gërryerjen e besimit tek institucionet, mediat dhe ekspertët. Kur njerëzit nuk janë të sigurt për saktësinë e informacionit, ata mund të bëhen më të ndjeshëm ndaj teorive të konspiracionit dhe keqinformimit, duke minuar më tej besimin. Polarizimi dhe ndarja – informacioni i rremë ose mashtrues mund të përdoret për të manipuluar opinionin publik dhe për të krijuar përçarje brenda shoqërisë.
Minimi i demokracisë, dezinformimi mund të ndërhyjë në proceset demokratike duke ndikuar në zgjedhje, duke minuar besimin në qeveri dhe duke manipuluar opinionin publik. Kjo mund të dobësojë themelet e demokracisë dhe ta bëjë më të vështirë funksionimin efektiv të qeverive. Rreziqet e shëndetit publik – për shembull, keqinformimi për vaksinat çoi në ulje të shkallës së vaksinimit dhe shpërthime të sëmundjeve të parandalueshme. Dëmi ekonomik – dezinformimi mund të dëmtojë ekonominë duke krijuar pasiguri, duke minuar tregjet dhe duke dëmtuar bizneset.
Kërcënimet e Sigurisë Kombëtare – dezinformimi mund të përdoret nga kundërshtarët e huaj për të mbjellë mosmarrëveshje, për të minuar sigurinë kombëtare dhe për të ndërhyrë në punët e brendshme. Kjo mund të përbëjë një kërcënim serioz për sovranitetin dhe stabilitetin e çdo vendi. Por lufta e domosdoshme kundër dezinformimit ka një vijë të kuqe. Kjo është moscenimi i lirisë së fjalës, moskufizimi apo dënimi i saj. Kjo garanci duhet të qartësohet në legjislacionin kundër dezinformimit, por mbi të gjitha duhet të garantohet nga entet e pavarura të krijuara për luftën kundër dezinformimit dhe sensibilizimi i opinionit publik për çdo rast potencial. Dizinformimi bëhet kërcënues edhe për shkak se mundësitë e përhapjes së tij janë bërë të palimituara.
Ai mund të përhapet përmes një sërë kanalesh, duke përfshirë mediat sociale, aplikacionet e mesazheve që mund të përdoren për të përhapur dezinformimin shpejt dhe privatisht, faqet e internetit, bloget, emaili, por edhe mediat tradicionale si gazetat, televizioni dhe radio. Vendet kryesore që po përdorin dezinformimin si një armë gjeopolitike aktualisht janë Rusia, Kina, Koreja e Veriut dhe Irani. Rusia dhe Kina janë aktive me dezinformimin edhe në Ballkan. Irani është akuzuar për përdorimin e dezinformimit për të përhapur propagandë antiperëndimore dhe për të mbështetur grupet terroriste. Në vendin tonë, Irani ka përdorur deri tani hakerimin dhe publikimin e të dhënave personale, çka synonte gërryerjen e besueshmërisë të qytetarëve tek institucionet të hakëruara. Risku i dezinformimit nuk është hipotetik, por real.
Në zgjedhjet presidenciale në 2016 në SHBA, fushata dezinformuese ruse u përdorën për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Fushatat e dezinformimit u përdorën me “sukses” për të ndikuar negativisht në rezultatin e referendumit të Brexit të vitit 2016. Fushatat dezinformuese në lidhje me pandeminë COVID-19 rritën rreziqet për shëndetin publik dhe dëme ekonomike. Duke qenë se rrjetet e përhapjes së lajmeve nuk kanë kufij, por veprojnë në të mijtat e sekondës në nivel global, lufta kundër dezinformimit është e pamundur pa bashkëpunimin deri në nivel global. Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka miratuar rezoluta për lirinë e shprehjes dhe të drejtën e informimit, të cilat trajtojnë në mënyrë indirekte çështjen e dezinformimit.
Këto rezoluta theksojnë rëndësinë e sigurimit që ushtrimi i këtyre të drejtave të mos abuzohet për të përhapur përmbajtje të dëmshme. Bashkimi Evropian ka miratuar Kodin e Praktikës për Dezinformimin që përshkruan masat që platformat ‘online’ duhet të marrin për të adresuar këtë çështje, si kontrolli i fakteve dhe transparenca. Akti i Shërbimeve Dixhitale (DSA) i BE-së hyri në fuqi në vitin 2024, imponon detyrime më të rrepta mbi platformat ‘online’ për të hequr përmbajtjen e paligjshme, përfshirë dezinformimin. Ka disa vende me përvoja pozitive në luftën kundër dezinformimit si Estonia, Finlanda dhe Gjermania. Përvoja që mund t’i vlejnë edhe komisionit për dezinformimin, pavarësisht specifikave të tyre. Për të parandaluar cenimin e fjalës së lirë është thelbësore të keni masa mbrojtëse të forta duke filluar nga transparenca dhe llogaridhënia.
Krijimi i organeve të pavarura për të monitoruar dhe rishikuar vendimet e marra në kontekstin e luftimit të dezinformimit merr një rëndësi të veçantë. Inkurajimi i pjesëmarrjes së publikut në zhvillimin dhe zbatimin e kundërmasave të dezinformimit duhet lehtësuar. Direktivat dhe rregulloret duhet të rishikohen në raport me efektivitetin e tyre. Edukimi i qytetarëve kërkon një rrugë të gjatë për t’i bërë konsumatorë më të hollësishëm të materialeve në internet. Duhet të reduktohen rreziqet e dezinformimit përmes programeve të edukimit dixhital, legjislacionit dhe bashkëpunimin me institucionet dhe vendet e tjera.
Mosbindje civile në Tiranë/ Protestuesit shpërndahen dhe djegin selinë e PS (VIDEO)