zoom

Aktualitet

Dëshmia tronditëse e Erion Alibejt: Si u organizua vrasja e Emiliano Ramazanit

Dëshmia tronditëse e Erion Alibejt: Si u organizua vrasja e Emiliano Ramazanit

Të tjera detaje rrëqethëse janë zbardhur nga dëshmia e Erion Alibejt, i penduari i drejtësisë, i përfshirë në një seri vrasjesh të bujshme që kanë tronditur Shqipërinë vitet e fundit.

Alibej ka dhënë hollësi për planifikimin dhe realizimin e vrasjes së Emiliano Ramazanit, një nga figurat e lidhura me grupin e Çopjave në Elbasan.

Sipas dëshmisë, Alibej tregon se Ramazani u ekzekutua ndërsa ndodhej te palestra.

Ekzekutimi u krye nga Henrik Hoxha, ndërsa Skerdi Tase shërbeu si shofer. Vrasja u krye me një armë zjarri tip TT, pa i dhënë viktimës as kohën të fikte makinën.

Alibej rrëfen më tej se ishte vetë ai që kishte interes të drejtpërdrejtë për eliminimin e Ramazanit, dhe që kishte siguruar informacione përmes Xhuljano Hoxhës dhe Eljo Bitrit. Në dëshmi, përmendet edhe Nuredin Dumani si bashkëpunëtor i ngushtë në vendimmarrje dhe logjistikë. Paratë për ekzekutimin, rreth 75 mijë euro, iu dorëzuan një vajze me taksi pranë TEG-ut, përmes ndërmjetësimit të Arsen Preçit.

Gjithashtu, Alibej ka treguar për biseda të shumta me personazhe të tjerë të botës së krimit, plane për atentate të tjera dhe tentativa të dështuara. Ndërsa përmendet edhe një pagesë e mundshme prej 2 milionë eurosh për vrasjen e vetë Alibejt, në një hakmarrje që përfshinte emra si Talo Çela dhe Mikael Qose.

Avokati i Xhuljano Hoxhës ka kërkuar që klienti i tij të jetë prezent kur përmendet emri i tij, por Prokuroria ka refuzuar ndërprerjen e seancës, duke ofruar regjistrimet audio si provë.

Pjesë nga dëshmia:

Alibej: Kur Nuredini erdhi në shtëpinë time, rreth asaj periudhe ishte kohë karantine. Doja të kishte lidhje mes Nuredinit dhe Dashnor Dumanin, dhe i kam dërguar dikë nga Roterdami për t’i nisur një telefon të enkriptuar.

Lidhëm kontaktin dhe e ka pyetur edhe në lidhje me të afërmit e tij. Koha kur Nuredini shkonte e vinte në shtëpinë time. Nëpërmjet Eno Bitrit, lidhëm kontakt me Mikael Qosen, gjatë bisedave Nuredini i thotë po, jam unë pas këtyre vrasjeve.

I nis një foto ku ishin shumë euro mbi tavolinë dhe një shkrim ku shkruhej datë, muaji dhe ora. Kemi 2 milionë euro për vrasjen e Erion Alibej.

Sipas Nuredinit, i ka kërkuar gjysmën e lekëve dhe në këmbim Talo Çelën. Ka kontaktuar me Mikael Qosen që i ka thënë do i vras të gjithë jevgjit e tu. Ne i dinim të gjithë ata që na kishin vrarë familjarët e tu. Në vazhdimësi janë kryer shumë biseda.

Nuredini solli një Pasat ngjyrë gri, makinë e vjedhur. Sa i përket një liste, nuk ka qenë kurrë një listë.

E kemi lënë makinën në garazh te dajat e mi në Peqin. Nuk e kemi pasur një plan, përgatiteshim për diçka të radhës. Daja e nuses kishte një kapanon buzë rrugës te Metalurgjiku dhe na interesonte. Asokohe interesoheshim dhe për Bujar Çelën, vëllain e Talo Çelës. Për ekzekutimin e Bujar Çelës, e morën përsipër Henrik Hoxha dhe Skerdi Tase.

Alibej: Gjatë kohës vendosëm për Emiljano Ramazanin, për të cilin informator kishim përveç Nuredinit, edhe Eljo Bitrin dhe Xhuljano Hoxhën.

Avokati i Xhuljano Hoxhës: I pandehuri Xhuljano Hoxha ka kërkuar të jetë prezent kur t’i përmendet emri i tij.

Prokuroria nuk e konsideron arsye për të ndërprerë seancën pasi mund t’i vihen në dispozicion regjistrimi me audio.

Alibej: Donim të vrisnim Emiljano Ramazanin sepse ishte më aktivi që kishin grupi i Çopjave bashkë me Bujar Çelën. Këtë si punë e morën Henrik Hoxha dhe Skerdi Tase, për vrasjen e Emiliano Ramazanit. Kanë qenë 2-3 episodet që mbetën tentativë dhe nuk u krye ekzekutimi. Ditën e ekzekutimit, Emiliano Ramazani ishte te palestra, Henrik Hoxha ishte shofer dhe Skerdi Tase ishte ekzekutor. Ka ardhur makina e Emiljano Ramazanit, dhe pa e fikur Emiliano makinën e ka ekzekutuar Henrik Hoxhaj me pistoletë TT. Pas ekzekutimit kanë vazhduar rrugën dhe në dalje të Elbasanit, e kanë lënë armën diku në fshatin Brosh me idenë që do kthejnë dhe do e fusnin në shtëpinë e Bujar Çelës. Henrik Hoxha gjithmonë merrte makina me qera për të kryer vrasje. Emiliano Ramazanin e njihja si mik të Mikael Qoses, i njihja dhe vëllain Leonard Rrahmani.

Postime të lidhura