Aplikacion
Adriatik Lapaj organizoi sot pasdite protestën e katërt kombëtare kundër qeverisë.
Pjesë e tubimit u bënë dhjetëra persona, por në sy ra edhe prezenca e deputetit të PD, Besart Xhaferri.
Ai u pa mes protestuesve të tjerë, duke shprehur solidaritet me kauzën dhe kërkesat e qytetarëve. Pas mbylljes së protestës, Besart Xhaferri shpjegoi në rrjetet sociale vendimin e tij për të marrë pjesë në tubimin e një partie tjetër politike.
Sipas tij, opozita duhet të jetë e bashkuar në luftën ndaj qeverisë dhe jo e përçarë.
Reagimi i plotë:
Do të jem në çdo protestë ku nuk i bëhet opozitë opozitës, por i bëhet opozitë Edvin Kullës dhe çetës së tij të hajdutëve dhe trafikantëve!
Sot, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, iu bashkova protestës së partisë “Shqipëria Bëhet”, për shkak se është një protestë që bëhet kundër njeriut që e ktheu Shqipërinë në një narkoshtet, ku vidhet vota, lulëzojnë kartelet e drogës dhe ku rinia ikën nga sytë këmbët për të mos u kthyer më kurrë.
Ashtu si aktivistë të kësaj force politike janë bërë pjesë e protestave tona, ashtu edhe unë sot zgjodha të jem në shesh për të treguar se Partia Demokratike është e hapur për forcat e reja që kanë vendosur të mos i bëjnë opozitës opozitë, por t’i bëjnë opozitë një regjimi që mbahet në këmbë nga kartelet e drogës, të cilat investojnë që në këtë vend të mos ndodhë rrotacioni.
Nuk e ka luksin opozita shqiptare të luftojë e përçarë përballë një regjimi, largimi i të cilit është emergjencë kombëtare.
Nga kjo protestë e sotme u bëj thirrje shqiptarëve që më 10 shkurt të dalin masivisht në protestën kombëtare, e cila do të shënojë fillimin e fundit të narkoregjimit!/ Zoom.al