zoom

Politikë

DEKLARATA/ Çfarë tha Alizoti që u sulmua nga gazetarja Desada Metaj

Përmes një postimi në Facebook, gazetarja Desada Metaj, e cila punon përkrah Lulzim Bashës do të sulmonte hapur Tomor Alizotin.

Ndër të tjera, Metaj shkroi se nuk mund të jesh në PD për hir të paraardhësve të vdekur apo internuar gjatë komunizmit për arsyen e thjeshtë se deri më sot nuk ka ende një ditë për të kujtuar shpirtrat e atyre që sakrifikuan jetën e tyre gjatë diktaturës.

Por çfarë tha ekzaktësisht Alizoti?

Në një intervistë për emisionin “Opinion”, ai u shpreh se ndodhet në këtë forcë politike, jo për hir të Bashës apo Berishës, por për hir të historisë së tij familjare.

“Esenca e themelimit  të PD-së ka qenë mendimi  ndryshe.  Unë nuk jam në PD as për Berishën as për Bashën, unë jam në në PD, për arsyet e mia historike, për njerëzit e mi pa varr. Ne familjen time ka vetëm dy varre që është vetëm ime më dhe im atë. Gjyshërit e mi nuk dihen ku janë. Une kam lindur ne internim dhe kam parë tim atë në Spaç, kam parë tmerret e komunizimit. Kur Edi Rama shëtiste nëpër bllok unë isha në internim, jetoja në kasolle. Për mua ky është misioni i madh i historisë sime”, tha Alizoti.

Më tej pohoi se PD është aktualisht në krizë, por sipas tij kjo vjen nga mungesa e ideologjisë në parti.

“Kriza reale në PD është se nuk ka ideologji, nuk ka luftë ideologjish. Kriza më e madhe është kriza ideologjike e të djathtës shqiptare dhe pikërisht sepse ka përfunduar në një realitet nëpërmjet dy individësh. Për mua si Alizot është e rëndësishme opozita, është e rëndësishme Partia Demokratike, që cilido që të fitojë këtë betejë, do të jetë më e vogël dhe nga kjo mbretëron Edi Rama në Shqipëri”.

Ndërkohë më poshtë mund të lexoni postimin e gazetares:

Nuk mund të jesh në PD-në për hir të paraardhësve të vdekur apo internuar gjatë komunizmit për arsyen e thjeshtë se deri më sot nuk ka ende një ditë për të kujtuar shpirtrat e atyre që sakrifikuan jetën e tyre gjatë diktaturës. Dhe PD ka qenë mjaftueshëm në pushtet për ta bërë këtë.

Nëse ke hyrë me vonesë në politikë është e pamjaftueshme të mbahesh me historinë familjare dhe të kujtohesh vazhdimisht për vuajtjet. Duhet të ndërmarrësh akte përfaqësimi dhe jo të projektosh karrierën duke pritur nga më i forti. Së paku për të bërë diferencën me topallizimin e PD-së dhe përdorjes së shëmtuar të “kartës” së ish të përndjekurve.

Nuk mund t’i thuash vetes “konservator” dhe të jesh pré e populizmit, e suksesit që të japin fjalimet ku flitet veç në përgjithësi “për varfërinë” e ku glorifikohet Albin Kurti. Dhe për më tepër, nuk mund të citosh Hegelin e ndonjë filozof tjetër, të pretendosh për ideologji e moral dhe nga ana tjetër për zenitin tënd në politikë t’i jesh mirënjohës dikujt që mendimin tënd mund ta zëvendësojë fare thjesht me atë të mis Shqipërisë.

Çdo parti ka Ben Blush-ët e vet. Vetëm se origjinali ka shkruar disa libra (me qëlime dhe cilësi të diskutueshme), ndërmori një lëvizje që prodhoi së paku fjalorth të ri politik dhe nuk u frikësua nga zhargoni banal apo sulmet e trollave që pêrdorën kundër tij “shokët” e partisë. Madje nuk përtoi por i shndërroi dhe në personazhe libri.

Dhe për ta mbyllur, në politikën e ditës janë aktet dhe jo idelogjia që të nxjerrin në krye. Janë qëndrimet dhe jo mendimet ambigue, janë përballjet dhe jo fshehja pas gishtit dhe historisë familjare ato që të farkëtojnë dhe bëjnë një lider të fortë. Përndryshe, ka ende vende vakante për analistë në studio se ato të kryetarëve të shoqatave për ish të përndjekurit janë zënë me kohë.