Aplikacion
CNN — Përgatiti në shqip Zoom.al
Shtetet e Bashkuara duket se po i afrohen gjithnjë e më shumë përfshirjes në konfliktin e Izraelit me Iranin, me një mundësi sulmi ndaj objekteve kyçe bërthamore të Iranit – përfshirë edhe impiantin e pasurimit të karburantit në Fordow, i cili është i fshehur thellë në një mal.
Ditë pas sulmeve të Izraelit mbi Iranin dhe programin e tij bërthamor, udhëheqësit izraelitë po presin të mësojnë nëse Presidenti amerikan Donald Trump do t’i ndihmojë ata për të përfunduar “punën”.
Sipas dy zyrtarëve të njohur me diskutimet në zhvillim, Trump po tregohet gjithnjë e më i hapur për përdorimin e forcës ushtarake amerikane për të goditur objektet bërthamore iraniane dhe po largohet nga ideja e një zgjidhjeje diplomatike për krizën.
“Unë mund ta bëj, mund edhe të mos e bëj. Askush nuk e di çfarë do të bëj. Por mund t’ju them këtë: Irani ka shumë probleme dhe ata duan të negociojnë. U thashë: pse nuk negocioni me mua përpara gjithë këtij vdekje dhe shkatërrimi,” tha Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën.
Ekspertët për Iranin paralajmërojnë se një sulm amerikan ndaj Iranit mund ta tërheqë SHBA-në në një moçal edhe më të vështirë se luftërat në Irak dhe Afganistan – një përballje e zgjatur që mund të zgjasë gjithë presidencën e Trumpit dhe të ketë një kosto të rëndë për jetët dhe burimet amerikane, për interesat e Izraelit.
“Çdo sulm nga SHBA do të çojë në një kundërsulm të plotë nga Irani ndaj bazave amerikane në rajon dhe një luftë të gjerë mes SHBA dhe Iranit,” tha për CNN Trita Parsi, nënkryetar i Institutit Quincy në Uashington DC.

Irani mund të mos jetë në gjendje të përballojë një luftë të gjatë me SHBA-në, por as për Uashingtonin nuk do të jetë një luftë e lehtë, shton ai.
“Irani është një vend shumë i madh, që do të thotë se SHBA-së do t’i duhej të godiste një numër shumë të madh objektivash për të shkatërruar aftësinë e Iranit për të kundërsulmuar,” tha Parsi, duke vënë në dukje se kjo do të ndodhte në një moment kur nuk ka një mbështetje të gjerë për luftë me Iranin, as në radhët e vetë kampit të Trumpit.
Një sulm amerikan ndaj Iranit do të hapte një “kuti të Pandorës” dhe “ka shumë mundësi të konsumonte pjesën tjetër të presidencës së Trumpit”, tha për CNN Ellie Geranmayeh, eksperte e lartë e politikës në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.
“Kur hapet kjo kuti, askush nuk e di se çfarë do të ndodhë,” tha Geranmayeh. “Trump më parë ka hequr dorë në çaste të tilla lufte me Iranin – ai ka aftësinë për ta bërë sërish.”
Irani nuk është nga ata që dorëzohen
Republika Islamike e sheh tashmë SHBA-në si bashkëfajtore në sulmet e Izraelit ndaj saj, duke thënë se Izraeli po i kryen me armë amerikane; ndërsa disa zyrtarë iranianë kanë deklaruar se Teherani është i përgatitur për një “luftë të gjatë dhe të plotë”.
Të mërkurën, Udhëheqësi Suprem Ayatollah Ali Khamenei deklaroi se Irani nuk do të tërhiqet, një ditë pasi Trump kishte bërë thirrje për “DORËZIM TË PAKUSHT” në një postim në rrjetet sociale.
“Le të dinë amerikanët se kombi iranian nuk është nga ata që dorëzohen, dhe çdo ndërhyrje ushtarake nga ana e tyre do të sjellë pa dyshim dëme të pariparueshme,” tha Khamenei në një fjalim kombëtar.
Përfshirja direkte e SHBA-së në konflikt mund të çojë në aktivizimin e mbeturinave të forcave përfaqësuese të Iranit në Irak, Jemen dhe Siri, të cilat më parë kanë sulmuar objektiva amerikane në rajon.
Duke e ditur që nuk mund të fitojë drejtpërdrejt ndaj Izraelit dhe SHBA-së, ekspertët thonë se Teherani mund të synojë një luftë rrënuese, për të lodhur vullnetin dhe kapacitetin e kundërshtarit në një përballje të gjatë, siç ndodhi gjatë luftës dhjetëvjeçare me Irakun e Sadam Huseinit në vitet 1980.
“Strategjia iraniane mund të jetë thjesht mbijetesa, të godasë sa të mundet dhe të shpresojë që Trump në fund të vendosë të ndërpresë luftën, siç bëri në Jemen,” tha Parsi.
Pas muajsh sulmesh ndaj rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen, SHBA në maj arriti një marrëveshje armëpushimi me grupin – gjë që nuk u prit mirë nga Izraeli.
“Kështu e sheh Teherani mundësinë për të fituar një luftë rrënuese,” shkroi në X Abdolrasool Divsallar, kërkues i lartë në Institutin e OKB-së për Kërkime mbi Çarmatimin. “Duke përfituar afatgjatë nga kapacitetet e veta ofensive dhe duke lodhur mbrojtjen e përbashkët SHBA-Izrael.”
“Futja e SHBA-së në këtë luftë është një vendim i keq dhe me kosto të lartë për të gjithë,” shtoi ai.
Jo fundi i programit bërthamor
Në një postim në gjuhën perse drejtuar Trumpit në X, ish-negociatori bërthamor iranian Hossein Mousavian, që jeton në New Jersey, i bëri thirrje presidentit të jetë një “president i paqes”, duke paralajmëruar se një sulm ndaj Fordow do të ishte i kotë – pasi Irani ka të ngjarë t’i ketë zhvendosur centrifugat më të avancuara – dhe do ta shtynte Iranin drejt ndërtimit të një bombe bërthamore.
“Me një vendim të gabuar, ju mund të jeni përgjegjës jo vetëm për vendimin e Iranit për të ndërtuar një bombë bërthamore, por edhe për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në një luftë me pasoja më të rënda për popullin amerikan sesa luftërat në Afganistan dhe Irak,” shkroi Mousavian.
Parsi tha se edhe nëse shkatërrohet programi bërthamor i Iranit, do të jetë vetëm çështje kohe që ai të rikthehet nëse qeveria vendos të ndërtojë një armë.
“Iranianët kanë njohuritë dhe kapacitetin për ta rindërtuar gjithçka,” tha Parsi. “Gjithçka që bën një sulm është ta vonojë paksa, por rrit në mënyrë dramatike motivimin për të ndërtuar një armë bërthamore.”
Fordow konsiderohet si objektivi më i vështirë dhe më i lakmuar nga Izraeli në përpjekjen për të shkatërruar infrastrukturën bërthamore të Iranit. Por ajo që ndodhet brenda këtij objekti sekret mbetet e paqartë, sipas Parsi.
“Pjesa kryesore e pasurimit ndodhte në Natanz. Fordow kryente funksione të tjera, më shumë kërkime,” tha ai, duke shtuar se nuk dihet me siguri se ku e mban Irani rezervën e uraniumit të pasuruar.
Nuk dihet gjithashtu nëse një sulm amerikan mund ta shkatërrojë kompleksin, i cili ndodhet thellë në një mal pranë qytetit të shenjtë të Qomit.
Rrezik për ndotje radioaktive?
Bombardimi i vazhdueshëm i Izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit ka ngritur shqetësime në rajon për një ndotje të mundshme radioaktive, e cila mund të përhapet përtej kufijve të Iranit në rast se goditet një reaktor bërthamor.
Irani ka vetëm një central bërthamor – ai ndodhet në qytetin juglindor të Bushehrit – dhe Izraeli nuk e ka sulmuar atë.
Sulmi ndaj Fordow nuk do të sillte të njëjtin rrezik si një reaktor aktiv, thanë dy ekspertë për CNN.
Scott Roecker, nënkryetar për Sigurinë e Materialeve Bërthamore në Nismën për Kërcënimin Bërthamor, tha se nuk do të kishte rrezik të madh për shpërndarje radioaktive në Fordow “sepse uraniumi i pasuruar atje është i freskët, siç themi në industrinë tonë.”
“Ai nuk është përdorur në reaktor, dhe kështu nuk do të kishte rrezatim të shpërndarë në një zonë të madhe, siç do të ndodhte, për shembull, nëse do të bombardohej Bushehri – centrali aktiv – që do të sillte një shpërndarje të madhe rrezatimi.”
“Do të ishte i lokalizuar rreth vendit, dhe duke qenë se është edhe nën tokë, nuk e dimë se sa do të dilte në sipërfaqe,” shtoi Roecker.
Behnam Ben Taleblu, drejtor i lartë i programit për Iranin në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD), një think-tank pro-Izraelit në Uashington, e përshkroi rrezikun si një problem më shumë kimik – një formë tjetër ndotjeje nga ajo e një reaktori.
Do të kishte shqetësime, tha ai, por rreziku nuk është aq i madh sa në rastin e një reaktori aktiv.