zoom

Ekonomi

Çmimi i naftës në stratosferë. Kush janë grosistët që po mbushin thasët nga kriza

Çmimi i naftës arriti sot nivelin më të lartë në historinë e Shqipërisë. 265 lekë për litër nuk ishte parë kurrë më parë në pikat e shitjes me pakicë.

Bordi i Transparencës i publikoi në mesditë çmimet e reja, por pa transparencë. Nuk tregoi se si u arrit në këtë çmim.

Për të bërë transparencën na ndihmojnë bursat ndërkombëtare. Sot një fuçi naftë u shit me 117 dollarë.
Kur pak ditë më parë bordi vendosi çmimin 258 lekë për litër, një fuçi naftë shitej me 123 dollarë.
Tani që në bursë ulet me 5 dollarë për fuçi, bordi e rrit çmimin me 7 lekë.

Nëse bordi do të bazohej në rregullat e tregut, do të duhej të ishte krejt e kundërta. Pra, çmimi do të duhej të ulej. Sot, të gjithë ata që ndjekin zhvillimet në tregun e hidrokarbureve prisnin pikërisht këtë.

Bordi, në përbërje të të cilit janë edhe grosistët e naftës, ata që janë nën akuzën e opinionit publik si abuzues dhe përfitues nga kjo situatë krize, është akuzuar se po u shërben pikërisht klientëve të qeverisë, si Kastrati, Eida, Gega Oil dhe Alpet.

Ish -kryeministri Sali Berisha e akuzoi bordin, se duke mbrojtur interensat e këtyre klientëve u ka vjedhur shqiptarëve mbi 330 milionë euro.

Qytetarët shqiptarë janë ngritur në protestë dhe kanë akuzuar qeverinë pikërisht për favorizim të grosistëve, të cilët i quajnë oligarkë.

Kriza e cmimeve ka nisur prej fillimit të muajit mars. Por në 3 muaj, asnjë nga grosistët e naftës nuk ka deklaruar humbje nga tregtia.

Edhe qeveria ka deklaruar shtim të fitimeve nga TVSH, për shkak të rritjes së çmimeve, një rritje që përllogaritet në 300 milionë euro.

Ata që humbin janë qytetarët, bizneset dhe industritë e rënda që duhet të punojnë me naftë.
Ata që fitojnë, janë ata që po paguajnë edhe mediat me reklama e forma të tjera që t’u mbyllin gojën përballë marrëzisë së çmimeve dhe të mos transmetojnë as protestat e qytetarëve. /Zoom.al