zoom

Lajme

Champions njeh dy çerekfinalistet e para! Bayern çfarë përmbysjeje, Tuchel do trofeun

Champions njeh dy çerekfinalistet e para! Bayern çfarë përmbysjeje, Tuchel do trofeun

Sonte u mësuan dy skuadra çerekfinaliste të Champions League. Pas suksesit 2-0 në ndeshjen e parë, PSG triumfoi 1-2  në Reale Arena (San Sebastian) ndaj Sociedad, duke prerë kështu një biletë për në fazën tjetër.

Pjesa e parë u vendos nga një gol i Kylian Mbappe, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë, ishte pikërisht sulmuesi francez që kompletoi dopietën. Në fund një gol i Merinos për vendasit vlejti vetëm për statistikë.

Kualifikim i madh i Bayern. Pavarësisht disfatës 1-0 në aktin e parë, Bayern përmbysi gjithçka, pasi fitoi sonte 3-0 ndaj Lazios në Allianz Arena (Munich). Kampionët e Gjermanisë vendosën ndeshjen në shinat e duhura që në pjesën e parë, duke realizuar 2 herë. Kane shënoi në minutën e 38-të pas një asisti të Guerreiro, ndërsa Muller dyfishoi llogaritë në minutën e 45-të.

Ekipi i Sarrit e pati mjaft të vështirë që të futet në lojë, me teknikun e lacialëve që nisi pjesën e dytë me disa ndryshime. Harry Kane shuajti një herë e mirë shpresat e italianëve, me golin e tij në minutën e 66-të. PSG dhe Bayern Munchen janë dy nga skuadrat pretendente për t’i shkuar deri në fund rrugëtimit të Champions.

Kurse Thomas Tuchel mund të marrë pak frymë, ashtu si i gjithë ambienti i Bayern Munich. Fitorja përballë Lazio-s ishte jetike për klubin, por ishte e rëndësishme edhe për vetë trajnerin, pavarësisht se do të largohet në fund të këtij sezoni:

“Kishim pritshmëri të mëdha, dëshironim të kualifikoheshim në fazën çerekfinale. Objektivi i parë ishte të shënonim gol, nuk e humbëm për asnjë moment përqendrimin, ishim konkret.

Si po e përjetoj këtë situatë? Këtë mbrëmje do të festojmë, do ta shijojmë këtë kualifikim. Nga e mërkura do të mendojmë për Bundesligën. Kur vjen në këtë fazë të Champions League të gjithë skuadrat ëndërrojnë të fitojnë trofeun, shoqëria, tifozët, edhe unë ëndërroj të fitoj Champions League”, u shpreh Tuchel në konferencë për shtyp.

/ZOOM.AL/