zoom

Blog

Çfarë na treguan 10 minutat e përgjimit të vartësit të Erion Veliajt

Një audio-përgjim i publikuar nga Partia Demokratike, mes një zyrtari të shtetit dhe një qytetari, është prova më e fundit se sa ka degraduar pushteti në Shqipëri.

Në materialin audio, kryetari i Njësisë Administrative të Vaqarrit, Gentian Myrta, i emëruar në këtë detyrë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bën hapur pazar me një qytetar për çështje prone. Flet për drogë e për blerje votash. Myrta i kërkon qytetarit hapur të paguajë 30 mijë euro për pronën.

Thotë se mund të blejë vota në zona të ndryshme. Flet për thasë me drogë e çmimin e drogës.

Këto 10 minuta nuk na erdhën si bombë. Qytetarët i dëgjojnë ato përditë. Në çdo pallat që ngrihet, dëgjojnë se janë futur para të trafiqeve të lëndëve narkotike. Në çdo pronë që merret, dëgjojnë se janë paguar shuma të mëdha parash.

Në çdo hall që kanë, ka një sekser që u kërkon para në këmbim të zgjidhjes. Dhe kjo pjesa më e rëndë në mesin e gjithë aferave që bëhen në këtë vend.

Këtu paguhet për gjithçka! Hallexhinjtë paguajnë për gjithçka dhe jo vetëm ata.

Po ku shkojnë të gjitha këto para që jepen nën dorë?

Adresa është vetëm një: xhepat e zyrtarëve.
Janë ata që e kanë në dorë zgjidhjen e halleve, dhënien e lejeve të ndërtimit, dhënien e çertifikatave të pronësisë, legalizimet, shërbimet në spital, punësimet etj.

Të gjitha te zyrtarët! Te ata që paguhen, nga njëra anë me taksat tona për të zgjidhur hallet e qytetarëve, nga ana tjetër marrin po paratë tona nën dorë, sërish për të zgjidhur të njëjtat shqetësime.

Skema tregon se nuk i marrin pagat për të shërbyer, por qëndrojnë nëpër zyrat ku janë emëruar për të mos i zgjidhur qëllimisht problemet siç ua kërkon detyra dhe për t’i zgjidhur më pas nëpërmjet rryshfetit.

Zyrat e shtetit janë të mbushur me të tillë individë të korruptuar.

Ky është sistemi i instaluar në Shqipëri dhe 10 minutat e audio-përgjimit janë pasqyra ku reflektohet më së miri kalbëzimi i tij.