zoom

Ide & Blog

Çfarë kishim nevojë të dëgjonim sot nga kryeministri Edi Rama për aferën “McGonigal”

Kryeministri i Shqipërisë pranoi më në fund t’i përgjigjej kërkesës së opozitës për të dhënë shpjegime për aferën “McGonigal”.

U paraqit në parlament pas 5 javësh mungese me një fjalim të parapërgatitur në formën e një hartimi.

Kishte zgjedhur të pranonte 14 takimet me ish -shefin e korruptuar të FBI, por refuzoi të jepte sqarime për çdo dyshim të ngritur se ai e kishte përdorur “McGonigal” për qëllime politike.

Foli për një opozitë me kryetar “non grata”, paralajmëroi një tjetër “non grata”, akuzoi opozitën për marrje të parave ruse, për Gërdecin, për 21 Janarin, akuza këto që shqiptarët kanë të paktën 10 vjet që i dëgjojnë.

Por sot Rama ishte thirrur për të sqaruar një tjetër aferë po kaq të madhe sa këto për të cilat akuzon opozitën: A e ka paguar apo shpërblyer ai në forma të ndryshme ish -shefin e korruptuar të FBI, Charles McGonigal për të hapur një hetim në SHBA për lobistin e opozitës Nick Muzin, në mënyrë që hetimi i FBI të ndikonte politikën amerikane në drejtim të opozitës shqiptare?

Ajo që shqiptarët kishin nevojë sot të dëgjonin nuk ishte refreni i kryeministrit se Sali Berisha është shpallur “non grata” se “ka bërë korrupsion” apo se “ka minuar demokracinë”, siç thotë departamenti amerikan i shtetit, por a ka manipuluar ai politikën amerikane nëpërmjet agjentit të korruptuar, mikut të tij, Charles McGonigal.

Pyetjet janë të thjeshta:

1. Edi Rama, e ka takuar Charles McGonigal privatisht apo si kryeministër?
2. Kur ka diskutuar për licensat e naftës, ka diskutuar si kryeministri i Shqipërisë me një zyrtar të lartë të FBI që ishte ngakuar nga zyra e tij për të tilla diskutime, apo si “dy miq” jashtë funksioneve zyrtare dhe për çështje që nuk kanë të bëjnë me funksionet e tyre?
3. E ka përdorur kryeministri i Shqipërisë zyrtarin e FBI për të luftuar opozitën dhe a ka dijeni ai që hetimi ka nisur pas informacioneve që kanë dalë nga zyra e tij dhe që pas nisjes së hetimit McGonigal ka marrë 225 mijë dollarë nga Agron Neza?
4. A e di Edi Rama që miku i tij McGonigal është takuar me mikun tjetër të tij, Tom Doshin, i cili i ka kërkuar të hetojë për llogari private të tij?
5. A janë rastësi të gjitha këto: hetimi i opozitës nga FBI nëpërmjet McGonigal vetëm 4 ditë pasi mori informacione nga zyra e Ramës, dhënia e licensave të naftës për kompanitë ku punonin Dorian Duçka e Agron Neza nëpërmjet McGonigal, përfitimet në kundështim me ligjin për një kompani ku McGonigal rezulton ortak në Shqipëri, mos marrja e asnjë mase kur gjykatat shqiptare vendosën që leja e shfrytëzimit të tre parcelave naftëmbajtëse, qe iu dha shoqërisë kineze të lidhur me Duçkën e Nezën, ishte me shkelje ligjore?
6. Pse qeveria e Edi Ramës e shkeli ligjin për t’i dhënë koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse kompanisë kineze të lidhur me Nezën e McGonigal?
7. Si është e mundur që qeveria e drejtuar nga Edi Rama i ka dhënë koncesione dhe statusin e investitorit strategjik oligarkut rus, Oleg Deripaska, pasi ai u vendos në listën e sanksioneve të SHBA?

Është e vështirë, në mos e pamundur, që gjithçka të jetë një rastësi. Provat dhe faktet flasin për një rrjet që vepronte për interesa reciproke, McGonigal me miqtë e tij Neza e Duçka për t’u pasururar, Edi Rama për të përfituar politikisht nga hapja e hetimeve për Partinë Demokratike të Shqipërisë nga FBI, një hetim që rezultoi një flluckë sapuni sin ë SHBA ashtu edhe në Shqipëri.

Edi Rama duhet t’u kishte dhënë përgjigje shteruese këtyre pyetjeve e shumë të tjerave që iu bënë nga opozita, pasi shqiptarët kishin nevojë që të dëgjonin prej tij se për çfarë kishte biseduar me një zyrtar të korruptuar të FBI në 14 takime, dreka e darka, të mbajtura sekret nga secili prej tyre.

Shpjegimet nuk duheshin për të na ofruar një tjetër “Big Brother” tërheqës në politikë, por për të kuptuar se ç’lojë luan në prapaskenë njeriu që shqiptarët kanë në krye të qeverisë dhe që sot ka vënë në kuotat më të ulta marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aq sa ndërveprimet e tij me McGonigal po shihet në Capitol Hill si cënim i sigurisë kombëtarëe të SHBA. /Zoom.al