zoom

Lajme

Carlo Ancelotti nën akuza për evazion fiskal, Prokuroria kërkon 4 vjet e 9 muaj burg

Carlo Ancelotti, trajneri i Real Madrid, ka përfunduar në qendër të një ngjarjeje të pazakontë për të, që lidhet me drejtësinë spanjolle. Ai akuzohet për mashtrim fiskal dhe rrezikon një dënim prej 4 vite e 9 muajsh.

Prokuroria e Madridit ka kërkuar që trajneri italian të dënohet, sepse nuk ka derdhur shumën e 1.062.079 eurove në vitet fiskale 2014-2015. Ancelotti, në deklaratën e tij tatimore, ka lënë jashtë të ardhurat që vinin nga e drejta e imazhit, që i kishte transferuar në subjekte të tjera.

Trajneri është tronditur nga lajmi, teksa ishte i përqendruar për ndeshjen e Championsit ndaj Lajpcigut. Ancelottikishte firmosur më 4 korrik 2013 një kontratë pune si trajner i Real Madrid për periudhën mes korrikut 2013 dhe 30 qershorit 2016. Në kontratë ishin saktësuar se në pagesat për këtë periudhë, përveç atyre për paraqitjen e punës, hynin edhe të ardhurat nga shitja e të drejtës së imazhit ndaj klubit.

Saktësohet po ashtu se nga korriku 2013 trajneri italian do të ishte rezident në Spanjë.

Prokuroria bën të ditur se për të evituar taksimin për të ardhurat nga e drejta e imazhit, si ato të Real Madrid, ashtu edhe të markave të tjera, trajneri ka bërë një rekurs. Ançeloti ka ‘simuluar’ shitjen e të drejtave të imazhit ndaj subjekteve “që nuk kanë aktivitet real”.