zoom

Aktualitet

Burg për 17-vjeçarin që vrau në Lezhë, avokati: Fajtorë jemi të gjithë

17-vjeçari Florian Përvathi është lënë në burg, pasi vrau bashkëfshatarin e tij Lek Lekgjonaj, për hakmarrje.

Avokati i të miturit, Andi Durra menjëherë pas vendimit të gjykatës, në një deklaratë për mediat u shpreh se kjo është një ndër ngjarjet më të rënda që ka tronditur të gjithë, pasi viktimë sipas tij nuk ishte vetëm 62-vjeçari, por edhe i mituri.

Ndër të tjera avokati ka theksuar se faj në lidhje me këtë ngjarje ka i gjithë opinioni publik, me nxitjen që bëhet për të marrë hak dhe mbi të gjitha kujdesi i munguar që duhej të kishte 17-vjeçari, që në momentin që mbeti jetim.

“Do të jetë seanca e radhës për vlerësimin e vendimit. Nuk pritej ndonjë vendim tjetër për shkak se është vepër me rrezikshmëri të madhe shoqërore. Është rasti i parë që kemi 2 viktima, një është ai që humbi jetën dhe që ngushëlloj familjarët, dhe viktima e dytë që nuk do të jetë i fundit është dhe autori i veprës penale i cili nuk do të jetë i fundit.

Fajtore jemi të gjithë pasi e kemi nxitur nga pak që të kryen kjo vepër penale qoftë duke e quajtur gjakmarrjen si vepër penale qoftë media qoftë opinioni duke i rritur me një urrejtje të tillë. Klienti im është i mitur dhe ishte shumë i tronditur, deklaratën e ka dhënë në polici në prani të psikologut.

Është një ndër ngjarjet më të rëndë që ka vetëm viktima. Do të bëj të pamundurën për përfitimet e klienti tim sipas ligjit”, ka thënë ai.

Ngjarja ndodhi në Manati të Lezhës, ku Lekë Lekgjonaj 65 vjeç u ekzekutua në oborrin e banesës së tij. Policia dyshon se i riu ishte fshehur pranë vendit të ngjarjes, nga ku ka qëlluar dy herë.

Dy plumbat e kanë kapur viktimën në gjoks duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pasi ka kryer krimin, Florian Përvathi është larguar nga vendi i ngjarjes duke shkuar në polici për t’u dorëzuar.

Përvathi ka shkuar në polici bashkë me armën e krimit, një pistoletë me mulli. Nga deklarimet e para, i riu ka thënë se e vrau 65-vjeçarin për gjakmarrje, pasi vëllai i tij i kishte vrarë të atin në vitin 2009.