zoom

Aktualitet

Vrasja për gjakmarrje/ 17-vjeçari në Lezhë nuk pendohet

Florian Pervathi, 17-vjeçari i cili vrau dje në Lezhë 65-vjeçarin Lek Lekgjonajn nuk është penduar. Adoleshenti ka pranuar në polici se vrasjen e kreu për gjakmarrje, për të marrë në këtë mënyrë hakun e babait të tij, por në asnjë moment nuk ka shfaqur pendesë.

Në vitin 2019, vëllai i viktimës së djeshme ka vrarë të atin e 17-vjeçarit, i cili asokohe ishte shumë i vogël. Floriani humbi edhe nënën, sepse ajo u vetëhelmua, pasi i vranë të shoqin.

I rritur pa të dy prindërit, duket se 17-vjeçari e ka pasur motiv për të vënë në vend sipas tij drejtësinë e munguar.

Policia po përpiqet të mësojë se ku e gjeti armën adoleshenti. Pas mbërritjes së polici dhe vetëdorëzimit të tij, ai ka treguar të gjithë ngjarjen.

Duket se gjithçka e kishte planifikuar. Ditën e djeshme, ai e ka pritur 65-vjeçarin dhe në momentin që ky i fundit ka zbritur nga makina e ka qëlluar duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Në polici ai ka deklaruar se ka qëlluar për hakmarrje, për të marrë gjakun dhe për të venë në vend drejtësinë. 17-vjeçari nuk ka treguar kush e dërgoi në komisariat pasi kreu vrasjen, ndërsa do të rimerret sërish në pyetje në prani të psikologëve, pasi gjendja e tij është tepër e rënduar.