Aplikacion
Bordi i Transparencës ka rishikuar sërish çmimet e karburanteve në vend, duke i rritur ato krahasuar me një ditë më parë. Sipas vendimit të marrë këtë të premte, që hyn në fuqi në orën 16:00, nafta do të tregtohet me 210 lekë për litër, nga 207 lekë që ishte, ndërsa benzina do të shitet me 176 lekë për litër, nga 174 lekë më parë.
Në njoftimin zyrtar, Bordi bën me dije se çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin (standard SSH EN 590) është 210 lekë/litër dhe 198 lekë/litër në shumicë. Ndërkohë, benzina do të ketë një çmim tavan prej 176 lekë/litër në pakicë dhe 164 lekë/litër në shumicë.
Këto çmime hyjnë në fuqi më 17 prill, ora 16:00, dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të reflektohen ndryshimet e reja në treg.
Autoritetet u bëjnë thirrje operatorëve të tregtimit të karburanteve të zbatojnë këtë vendim, duke paralajmëruar masa deri në pezullim aktiviteti në rast shkeljesh.
Në një sqarim shtesë, Bordi nënvizon se, sipas Aktit Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, niveli i reduktuar i akcizës (80%) zbatohet vetëm kur çmimi i gazoilit kalon 220 lekë/litër ose i benzinës 200 lekë/litër. Meqenëse çmimet aktuale janë nën këto kufij, akciza do të vijojë të aplikohet në nivelin e plotë, 100%./ Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit