Aplikacion
Rritja e vazhdueshme e çmimit të karburantit ka shtuar shqetësimin te sipërmarrjet në vend, të cilat i bëjnë thirrje qeverisë të ndërhyjë me masa konkrete për të lehtësuar situatën.
Sipas përfaqësuesve të biznesit, kostot e larta po ndikojnë drejtpërdrejt në prodhim, shërbime dhe çmimet për konsumatorët.
Në një dalje publike, përfaqësues të organizatave ekonomike, mes tyre edhe Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar, theksuan se rritja e çmimeve të naftës po dobëson fuqinë blerëse dhe po ul konkurrueshmërinë e bizneseve shqiptare në tregjet rajonale.

Sipas Besim Beqajt, kjo situatë po reflektohet në ngadalësimin e aktivitetit ekonomik dhe në shtyrjen e investimeve të reja, ndërsa pasiguria në treg po rritet.
Organizatat e biznesit kanë paraqitur një paketë me gjashtë kërkesa kryesore, ku ndër më të rëndësishmet janë ulja e barrës fiskale mbi karburantet dhe rritja e transparencës në përcaktimin e çmimeve. Ata kërkojnë gjithashtu forcim të kontrollit të tregut për të shmangur abuzimet dhe konkurrencën e pandershme.
Një tjetër shqetësim lidhet me ndikimin e drejtpërdrejtë në sektorë si transporti, bujqësia, industria prodhuese dhe turizmi, të cilët konsiderohen më të ekspozuar ndaj rritjes së kostove. Për këto fusha kërkohen subvencione dhe politika mbështetëse për të shmangur rritjen e mëtejshme të çmimeve për qytetarët.

Bizneset paralajmërojnë se, nëse nuk merren masa, vendi mund të përballet me rritje të mëtejshme çmimesh, frenim të investimeve dhe rrezik për humbje të vendeve të punës./ Zoom.al
Kërkesat e bizneseve:
Rishikimi i barrës fiskale
Është e domosdoshme rishikimi i përkohshëm dhe fleksibël i barrës fiskale mbi karburantet. Struktura aktuale e çmimit përfshin një peshë të konsiderueshme taksash, e cila rëndon mbi biznesin dhe konsumatorin. Një ndërhyrje e targetuar do të ndihmonte në stabilizimin e tregut.
Masa të tilla duhet të jenë në linjë me praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat në periudha krize kanë aplikuar politika fiskale lehtësuese për të zbutur ndikimin mbi ekonominë dhe qytetarët.
Transparenca në përcaktimin e çmimit
Mungesa e transparencës në përcaktimin e çmimeve nga strukturat përkatëse mbetet shqetësuese. Kërkojmë publikim të rregullt të strukturës së çmimit; sqarim të faktorëve ndikues (tregjet ndërkombëtare, taksat, marzhet). Transparenca është thelbësore për rikthimin e besimit.
Forcimi i kontrollit të tregut
Institucionet duhet të garantojnë konkurrencë të ndershme përmes: monitorimit aktiv të operatorëve; hetimit të çdo rasti të mundshëm abuzimi apo marrëveshjeje të fshehtë si dhe luftës kundër informalitetit.
Mbështetje për sektorët më të ekspozuar
Sektorët si: transporti, bujqësia dhe agropërpunimi, industria prodhuese dhe fasoneria shërbimet dhe turizmi janë ndër më të goditurit dhe kërkojnë mbështetje konkrete. Instrumentet lehtësuese janë të domosdoshme për të ruajtur konkurrueshmërinë dhe për të shmangur transferimin e plotë të kostove te konsumatori.
Masa afatmesme dhe afatgjata
– Krijimi i rezervave strategjike të naftës për të garantuar sigurinë energjetike në raste krize;
– Diversifikimi i burimeve të energjisë dhe reduktimi i varësisë nga importet;
– Investime në energji alternative dhe rritje të efikasitetit energjetik;
Duhet të zhvillohet dialog i hapur, i rregullt dhe zhvillimor mes qeverive dhe biznesit, në mënyrë që masat kundër krizës energjetike të jenë reale, të zbatueshme dhe në funksion të ruajtjes së vendeve të punës, prodhimit dhe investimeve duke garantuar stabilitetin ekonomik dhe social ne hapësirën mbareshqiptare.
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit