zoom

Lajme

BIRN: KLGJ kërkon 30 milionë euro shtesë në buxhet, opozita e quan llastim

Këshilli i Lartë Gjyqësor paraqiti të premten në Kuvend kërkesë për shtim fondi në shifrën 3.02 miliardë lekë, një shifër që përbën 54% e fondeve të akorduara në buxhetin e vitit 2025 në draft-buxhetin e qeverisë.

“Po t’i referohemi kërkesave buxhetore që kemi bërë niveli i miratimit nga ana e ministrisë së Financave është në nivel 13% më i lartë se vitin e kaluar, por sa i takon kërkesave tona buxhetore janë miratuar 2/3 pra 35 % e tyre”- tha Rusi, duke cilësuar si imediat fondin për qira për një godinë shtesë për Gjykatën e Apelit.

Sipas relacionit të komisionit, shuma e kërkuar shtesë lidhet kryesisht me shpenzimet për paga dhe sigurime personeli dhe konkretisht 550 milion lekë kërkohen për plotësim vakancash dhe një shtese të miratuar prej 133 punonjësish.

Nga tabela e kërkesave parashikohet ndërtimi i dy godinave të reja gjykatash në shumën 850 milionë lekë, blerje programesh Software në shumën 454.7 milion lekë, 243.6 milionë lekë për projektin e Integrimit të Inteligjencës Artificiale në proceset e punës, etj..

Deputetët e opozitës i pritën me kritika kërkesat e KLGJ-së dhe jo në proporcion me punën që bëjnë gjykatat për të dhënë shërbim për qytetarët.

“Keni pasur fonde e personel edhe jashtë mundësive të buxhetit ndoshta dhe duke ju llastuar pak”- iu drejtua Rusit, deputetja Dhurata Çupi, duke e kritikuar se “nuk keni bërë përpjekje serioze për të ulur numrin e dosjeve stok në gjykatë”.

“Çfarë keni bërë në 2024 për të justifikuar milionat që keni marrë. Kam përshtypjen që ata që kanë kaluar vetingun kanë rënë rehat dhe nuk shqyrtojnë dosjet”- shtoi ajo.

Në përgjigje të kritikave kreu i KLGJ-së argumentoi se nuk po kërkoheshin fonde për luks, por për të bërë punën.

“Të marrësh fonde është e thjeshtë, ti përdoresh është e vështirë”- tha ai duke shtuar se KLGJ kishte audite për mënyrën se si shpenzonte buxhetin.

“Nuk besoj se ka punë të papaguar”- iu drejtua ai Çupit, duke iu referuar shtesave të reja në personel.

Nga ana tjetër Rusi propozoi të bëhen ndryshime ligjore në mënyrë që të futet “dosja dixhitale” si praktikë për të zgjidhur ‘backlog’-un, stokun e dosjeve të prapambetura në sistemin gjyqësor.

Të premten bëri dëgjesën për buxhetin e ri edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit për të cilin është parashikuar nga Ministria e Financave një fond rreth 277.3 milion lekësh, por Kolegji paraqiti kërkesë për një shtesë në strukturën me 3 përkthyes dhe 1  specialist për zbardhjen dhe redaktimin e vendimeve që kapin një fond për paga në vlerën 10.61 milion lekë./BIRN

Postime të lidhura