zoom

Politikë

Berisha sfidon Bashën: Po të ishte burrë, vinte dhe debatonte me mua

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi gjatë “Foltores” me të rinjtë në Tiranë, se tashmë ai nuk pranon as dorëheqjen e Lulzim Bashës si kryetar i PD-së.

“Nuk e lejoj të japë dorëheqjen, por do ta heqim”, tha ish-kryeministri i shpallur “non grata” nga SHBA, që ka shpallur zyrtarisht ambicien për të rimarrë drejtimin e PD-së.

Berisha shprehu qëndrimin e tij kundër zgjedhjeve në FRPD, vendim i shpallur disa ditë më parë nga kryedemokrati Lulzim Basha.

“Ne në këtë betejë kemi edhe probleme të brendshme të forta në PD. Pengkryetari ka humbur çdo lloj morali që drejtues dhe së fundmi është vërsulur ndaj organizatës suaj dhe të grave demokrate, në një hakmarrje të turpshme dhe primitive. Vendi i tij, po të ishte burrë, duhet të ishte para jush sot. Të ishte këtu me Belindin, Rigersnin, mua, në një debat të hapur, por rri kyçur në zyrën e tij, jep urdhra me telefon dhe deklaron njësoj si dikur në kohërat më staliniste të Shqipërisë uzurpimin e FRPD-së, uzurpimin e Lidhjes së Grave. Forumi juaj ka statutin, drejtuesit e vet, trashëgimië e tij, nuk është pronë e askujt, por është tërësia e idealeve më fisnike. Askush nga ju nuk është kundër zbatimit të statutit, kundër proceseve zgjedhore në radhët tuaja, por ato janë kompetencë ekskluzivisht e juaja. Do jeni ju që do zhvilloni procesin zgjedhor dhe do përcaktoni se si do t’i zgjidhni ju drejtuesit. Kryetari pa parti nuk përcakton dot më asgjë. E ka kapur një frikë e tmerr nga ju, është i pashpresë”, tha Berisha.

Ish-kryeministri premtoi se “Shqipëria do të ketë opozitën konservatore më të fuqishme dhe fitimtare”.