zoom

Lajme

Beqaj del i nervozuar nga SPAK: Duhet ta ndajnë, jam nën hetim apo palë e tretë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është paraqitur sërish sot në ambientet e SPAK dhe ka sqaruar për mediat çështjen  e faturës së papaguar.

Ish-ministri tha se kur ka kërkuar aktet i është vënë para një urdhër i kancelares që flet për palë të treta. Ai tha se duhet “të ndahet” nëse është person në hetim apo palë e tretë lidhur me këtë rast.

Në një fjalë për mediat në dalje të SPAK, Beqaj u shpreh se është i bindur se e drejta e tij do të përballet në gjykatë dhe jo në prokurori.

“Jam i bindur se ajo çfarë unë mendoj që është e drejta ime do të përballet në gjykatë dhe jo në prokurori. Së pari unë jam përpjekur të jem në marrëdhënie institucionale me organet e drejtësisë, por për interesin tuaj, siç ju e dini unë jam një person në hetim prej katër muajsh. Vij këtu çdo të premte për tu paraqitur në zbatim të një vendimi gjykate si person nën hetim ndërkohë kur kam kërkuar aktet më është vënë përpara një urdhër i kancelares që flet për palë të treta. Atëherë dua të ma ndajnë jam person nën hetim apo palë e tretë. Si palë e tretë sigurisht ka të tjera çështje, por unë jam person nën hetim dhe udhëzimi i përgjithshëm i SPAK-ut i shtatorit flet për një procesverbal që mban prokurori shënimet e shpenzimeve dhe jo personi nën hetim. Dua ta ndajnë jam palë e tretë apo person nën hetim”.

Beqaj ripërsëriti se ka kërkuar të hetohet pse nuk u vu në punë 2 vite kjo kontratë.

“Kam kërkuar të hetohet pse nuk u vendos në punë dy vite e gjysmë, por u mbajt aty kur nevoja ishte ulëritëse. Kam kërkuar të hetohen avantazhet që ka sjellë kjo kontratë krahasim me kohën kur nuk përdorej centrali i sterilizimit”.

Beqaj po hetohet nën masë sigurie “detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit” për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, vepra penale të kryera në bashkëpunim.

Vendimi i firmosur nga gjyqtari Erjon Bani erdhi pas hetimit për çështjen e sterilizimit dhe u mor 16 Nëntorin e 2023-shit.

Masa ndaj Beqajt, erdhi pasi Gjykata e Posaçme, i sugjeroi prokurorisë të shtrinte hetimet për koncesionin e sterilizimit edhe mbi përgjegjësitë e 6 personave të tjerë, duke përfshirë ish-ministrin e Shëndetësisë, ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani si dhe për katër komisionerë të prokurimeve.