zoom

Aktualitet

Belgjika i kërkon Shqipërisë të marrë mbrapsht kriminelët: Paratë e sekuestruara t’i ndajmë

Belgjika i kërkon Shqipërisë të marrë mbrapsht kriminelët: Paratë e sekuestruara t’i ndajmë

Ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, dhe ministrja e Azilit dhe Migracionit, Anneleen Van Bossuyt, nisën një vizitë tre-ditore në Shqipëri dhe Kosovë për të diskutuar mbi mbipopullimin e burgjeve dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Qeveria belge po shqyrton mundësinë që shtetasit e huaj të dënuar të vuajnë dënimin jashtë Belgjikës për të lehtësuar sistemin.

Aktualisht në Belgjikë ndodhen 307 shtetas shqiptarë në burg, 253 prej të cilëve nuk kanë të drejtë qëndrimi. Belgjika kërkon që disa prej tyre të transferohen në Shqipëri për të vuajtur dënimin atje.

“Nëse ata që janë dënuar këtu dhe nuk kanë të drejtë qëndrimi në Belgjikë mund ta vuajnë dënimin në vendin e tyre të origjinës, kjo do të thotë se dënimi zbatohet siç duhet, ndërkohë që lehtësohet presioni mbi sistemin tonë penitenciar”, tha Verlinden.

Delegacioni belg do të diskutojë gjithashtu ndarjen e të ardhurave kriminale të sekuestruara në Shqipëri dhe Kosovë, duke kthyer një pjesë të tyre në thesarin belg, si dhe mundësinë e një traktati dypalësh për bashkëpunim gjyqësor.

Verlinden theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe Kosovën në luftën kundër trafikimit të drogës, pastrimit të parave dhe kontrabandës së armëve, duke e cilësuar Ballkanin Perëndimor si një rajon kyç në luftën kundër krimit të organizuar./ Zoom.al

Postime të lidhura