Aplikacion
Vendet e Bashkimit Europian kanë dhënë mesditën e sotme dritën jeshile për miratimin e raportit të IBAR-it për Shqipërinë.
Ky hap e çon dosjen drejt Këshillit të Ambasadorëve të 27 shteteve anëtare dhe më pas drejt Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri–BE më 26 maj.
Por, dokumenti i 21 majit 2026 nuk është thjesht përditësim teknik i një raporti periodik, por një riformatim i qasjes politike të BE-së ndaj Shqipërisë.
Në krahasim me draftin e shkurtit të Komisionit Europian, versioni i ri është më i drejtpërdrejtë, më kushtëzues dhe më pak diplomatik në tonin e tij. BE po sinjalizon kalimin nga një fazë ku matet “përputhshmëria ligjore”, në një fazë ku matet funksionimi real i shtetit.
Një nga ndryshimet më domethënëse strukturore është heqja e hyrjes së Komisionit që në versionin e shkurtit përshkruante progresin e Shqipërisë. Në versionin e majit, ky element zhduket plotësisht dhe dokumenti fillon drejtpërdrejt me kushtet.
Një nga elementët më të fortë të draftit të majit është mënyra si trajtohet SPAK. Për herë të parë, dokumenti përmend “rritje të ndërhyrjeve politike në drejtësi”; thekson se këto ndërhyrje vijnë “nga nivele të larta”; identifikon SPAK-un si objekt presioni politik; kërkon mbrojtje të qartë institucionale për të.
Në këtë mënyrë, SPAK nuk trajtohet më si një institucion teknik i reformës në drejtësi, por si garancia kryesore politike e integrimit europian të Shqipërisë. Çdo perceptim për ndërhyrje ndaj tij, në logjikën e BE-së, përkthehet direkt në ngadalësim të procesit të negociatave.
Një tjetër ndryshim thelbësor është ashpërsimi i gjuhës për korrupsionin. Në vend të formulimit “shqetësim serioz”, IBAR-i i majit përdor termin “shqetësim kritik”, duke nënkuptuar rritje të pritshmërive për rezultate konkrete; dhe pakënaqësi me ritmin aktual të reformave.