zoom

Bota

BE i kërkon “llogari” Polonisë për skandalin e vizave, i jep 2 javë kohë të përgjigjet

Bashkimi Evropian i ka kërkuar Polonisë që të japë përgjigje për akuzat për mashtrim me vizat që kanë përfshirë partinë qeverisëse të vendit.

Mediat polake raportojnë se emigrantët i paguanin deri në 5,000 dollarë konsullatave polake dhe kompanive private për të shpejtuar aplikimet për viza.

Një zëdhënëse e Komisionit Evropian tha se i kanë dhënë Varshavës dy javë kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve. Ndërsa qeveria polake tha se akuzat për mashtrim ishin “absurde”.

Gjermania i ka kërkuar gjithashtu Polonisë të japë detaje në lidhje me numrin e vizave të dhëna dhe kombësinë e njerëzve që i kanë marrë ato.

Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser telefonoi homologun e saj polak, Mariusz Kaminski, për “akuzat serioze” të martën.

Qeveria polake ka pranuar se qindra viza janë lëshuar në mënyrë të paligjshme, por ka kundërshtuar pretendimet e opozitës se numri ishte shumë i lartë.

Partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS) është e njohur për qëndrimin e saj të ashpër ndaj imigracionit dhe po konkurron në një platformë kundër imigracionit përpara zgjedhjeve kombëtare të 15 tetorit.

Mes fushatës së ashpër, opozita e ka quajtur atë “skandalin më të madh me të cilin jemi përballur në shekullin 21” dhe “korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisë”.

Ndërsa ka deklaruar se janë qindra mijëra nga Azia dhe Afrika që kanë marrë viza.

Zëvendësministri i Jashtëm polak Piotr Wawrzyk u shkarkua në fund të gushtit pasi u publikuan akuzat.

Ministria e Jashtme po përballet me një auditim dhe byroja kundër korrupsionit e Polonisë ka kryer një kontroll në ministri.

Ministria tha se do të përfundojë të gjitha kontratat për kompanitë e jashtme që kishin trajtuar aplikimet për viza që nga viti 2011.

Në lidhje me akuzat u akuzuan shtatë persona, tre prej të cilëve mbeten në paraburgim.

Ligji dhe Drejtësia po kërkon një mandat të tretë në detyrë dhe ndërsa aktualisht kryeson në sondazhe, është e paqartë nëse do mund të fitojnë shumicën e plotë që u nevojitet për të qeverisur pas zgjedhjeve parlamentare të muajit të ardhshëm.

Opozita e ka përdorur skandalin për të hedhur akuza se politikat e qeverisë në frenimin e emigracionit po dështojnë.

Polonia vitin e kaluar përfundoi një pengesë çeliku 187 km përgjatë kufirit të saj me Bjellorusinë dhe vendosi mijëra ushtarë për të ndaluar emigrantët të kalonin në territorin e saj.

Varshava u përball me një krizë serioze me emigrantët e bllokuar në kufi në temperatura të ulta në fund të vitit 2021. Qeveria në atë kohë akuzoi Bjellorusinë se i shtynte emigrantët drejt kufirit në një “aktivitet armiqësor”.

Polonia ka qenë gjithashtu një kritike e vendosur e planeve të BE-së për të dërguar emigrantë nga vendet mesdhetare që shohin numrin më të madh të mbërritjeve në vendet e tjera anëtare.

Emigracioni ka qenë në krye të agjendës në Evropë gjatë javëve të fundit, me Italinë që ka bërë thirrje për ndihmë nga BE-ja pasi 8,000 emigrantë mbërritën në ishullin Lampedusa në tre ditë.