zoom

Aktualitet

Bastet u legalizuan, por Policia vijon të bëjë namin me arrestime. Goditet baza ilegale në Fier

Edhe pse Bastet u legalizuan sot nga Parlamenti, duke i rikthyer vetëm online pas 6 vitesh, Policia vijon me intensitet goditjen e pikave ilegale, sepse Akti Normativ mbetet në fuqi derisa ligji të kalojë 15 ditë nga botimi i Fletores Zyrtare.

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë, pasi akuzohen për lojëra të paligjshme fati. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ranë shtetasit Flavjo Lakrori dhe Juljan Zhavari, të dy banues në Fier.

“Vijon megaoperacioni “Sundimi i ligjit”, kundër organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Kishin vënë në dispozicion lokalet e tyre, në lagjen “Konferenca e Pezës”, për vënie bastesh sportive, me pajisje kompjuterike dhe me celularë, arrestohen në flagrancë 2 shtetas.

Sekuestrohen 8 njesi kompjuterike, 2 celularë dhe 1 televizor.

Si rezultat i kontrolleve në lokale ku dyshohet se organizohen dhe luhen lojëra fati, në kundërshtim me ligjin, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, goditën 2 raste të tjera të kësaj veprimtarie”, tha policia vendore.

Ata u kapën në flagrancë në 2 lokalet në pronësi të tyre, në lagjen “Konferenca e Pezës”, të cilat i kishin përshtatur për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit (baste sportive me celularë dhe njesi kompjuterike).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/