Aplikacion
Tregu i basteve online në Shqipëri vijon të zhvillohet kryesisht jashtë kontrollit të shtetit, pavarësisht ndryshimeve ligjore të miratuara vitet e fundit. Një analizë e publikuar nga qendra për kërkime dhe konsulence ekonomike, fiskale dhe ligjore, ALTAX, tregon se sektori i lojërave të fatit online gjeneron çdo vit 150–250 milionë euro, por vetëm 25–40% e këtij qarkullimi realizohet përmes operatorëve ligjorë. Pjesa dërrmuese, deri në 75% e tregut, ose dominohet nga platforma të huaja dhe operatorë të paligjshëm. Kjo do të thotë se rreth 190 milionë euro janë në duart e operatorëve të paligjshëm dhe vetëm 60 milionë tatohen nga shteti.
Sipas studimit, aktiviteti real i basteve nuk është ndalur, por është zhvendosur pothuajse tërësisht online, duke funksionuar përmes platformave ndërkombëtare, VPN-ve dhe pagesave jashtë sistemit fiskal shqiptar.
Humbje deri në 12 miliardë lekë në vit për buxhetin
ALTAX vlerëson se shteti shqiptar humbet çdo vit 7–12 miliardë lekë nga mosfunksionimi normal i tregut dhe mungesa e licencimit efektiv të basteve online. Llogaritjet bazohen në të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Agjencisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Humbjet fiskale lidhen kryesisht me mosmbledhjen e tatimit 15% mbi GGR (të ardhurat neto të operatorëve), mosdeklarimin e tatimit mbi fitimet individuale (13–23%), mungesën e TVSH-së 20% për shërbimet digjitale dhe mospagesën e kontributeve të tjera të lidhura me aktivitetin e lojërave të fatit.
Në terma konkretë, ky nivel evazioni përfaqëson një dëm të krahasueshëm me financimin vjetor të disa institucioneve publike ose me mijëra paga në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë.
Sipas të dhënave zyrtare të analizuara nga ALTAX, në vitin 2024 të ardhurat legale nga lojërat e fatit ishin rreth 2.3 miliardë lekë, me një xhiro të raportuar prej 20–25 miliardë lekësh.
Në 2025, pas liberalizimit të pjesshëm të sektorit, të ardhurat arritën 2.5–3 miliardë lekë për 10 muaj, ndërsa për gjithë vitin parashikohen 8–10 miliardë lekë xhiro legale. Megjithatë, kontributi i sektorit në të ardhurat tatimore totale mbetet i ulët, vetëm 0.7–1.1%, shumë larg potencialit real.
ALTAX e përshkruan sektorin si një treg me kërkesë të lartë, por të bllokuar nga një arkitekturë rregullatore e papërfunduar.
Pse dominon tregu i paligjshëm?
Sipas studimit, shkaku kryesor lidhet me mungesën e akteve nënligjore. Ligji nr. 155/2015, i ndryshuar në vitin 2024, parashikonte hapjen e tregut të basteve online dhe licencimin e deri në 10 operatorëve. Por 11 aktet nënligjore, që duhet të përcaktonin rregullat teknike të licencimit, monitorimit dhe fiskalizimit, nuk janë miratuar brenda afatit ligjor (1 tetor 2024).
Si pasojë, gara për licenca është pezulluar, operatorët ligjorë nuk kanë mundur të hyjnë në treg, ndërsa operatorët e huaj kanë forcuar pozitat e tyre.
Një problem tjetër është edhe kapaciteti i dobët i monitorimit teknologjik. Sipas ALTAX, AMLF nuk disponon ende një platformë të centralizuar për ndjekjen në kohë reale të transaksioneve online, një standard i zakonshëm në vendet e BE-së.
Nga mbyllja e pikave fizike te shpërthimi online
Pas mbylljes së mijëra pikave fizike të basteve në vitin 2019, aktiviteti nuk u zhduk, por u zhvendos online. Platforma të njohura ndërkombëtare si Bet365, 1xBet, 22Bet vijojnë të jenë lehtësisht të aksesueshme përmes VPN-ve, duke e bërë praktikisht të pamundur zbatimin e bllokimeve teknike nga AKEP.
Sipas studimit, ndalimi pa një sistem funksional licencimi dhe monitorimi ka prodhuar efektin e kundërt: formalizimin e ka zëvendësuar informaliteti digjital.
Potenciali fiskal, deri në 18 miliardë lekë në vit
ALTAX vlerëson se nëse ligji zbatohet plotësisht dhe krijohet një platformë e centralizuar monitorimi, tregu mund të formalizohet ndjeshëm brenda dy viteve.
Skenari optimal parashikon 12–18 miliardë lekë të ardhura vjetore për buxhetin, ulje të evazionit nën 40%, 2–5 milionë euro në vit për fondin e sportit rinor dhe xhiro legale deri në 50–60 miliardë lekë.
Në këtë rast, kontributi i sektorit të lojërave të fatit në buxhetin e shtetit do të rritej në 2.5–3% të tatimeve totale, duke e kthyer nga një problem kronik në një burim real të ardhurash publike.
Studimi i ALTAX tregon se bastet online në Shqipëri janë një treg i madh, por i keqmenaxhuar. Pa rregulla të qarta, pa licenca funksionale dhe pa monitorim real, përfituesit kryesorë mbeten operatorët e paligjshëm, ndërsa humbësi i vetëm është buxheti i shtetit.
Ku pastrohen paratë e fituara nga bastet e paligjshme?
Një shqetësim i përsëritur në analizat mbi tregun e basteve online lidhet me kanalizimin e fitimeve drejt sektorëve me qarkullim të lartë cash, veçanërisht ndërtimit. Ekspertë fiskalë dhe raporte analitike kanë theksuar se mungesa e kontrollit real mbi bastet online krijon hapësirë që miliona euro të riciklohen përmes investimeve në pasuri të paluajtshme, një sektor historikisht i ndjeshëm ndaj pastrimit të parave.
Në këtë kontekst, Zoom.al ka përmendur më herët disa në kuadër të analizave mbi lidhjet mes ekonomisë informale, basteve online dhe bumit të ndërtimit, duke ngritur pikëpyetje mbi burimin e kapitalit dhe mungesën e transparencës. Ky fenomen, sipas ekspertëve, tregon një rrezik sistemik, pasi fitimet nga aktivitete të paligjshme jo vetëm nuk tatohen, jo vetëm nuk sekuestrohen, por lejohet të investohen në ekonomi, duke sjellë deformime të mëdha për tregun. Tregu imobiliar vlerësohet si më i deformuari, me çmimet e apartamenteve që nuk reflektojnë realitetin ekonomik të vendit dhe janë të papërballueshme për qytetarët. /Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari