Aplikacion
Raundi i parë i këtyre negociatave, potencialisht shumë më të rëndësishme për të gjithë Ballkanin, e edhe më gjerë, pra ka përfunduar pa rezultate, si rrjedhojë e paaftësisë me sy të dukshme të përfaqësuesve evropianë për ta përmëshiruar Vuçiqin (i cili, me këtë rast, i merr funksionet kushtetuese të kryeministres serbe, meqë ra fjala) dhe për ta krijuar situatën që negociatat të kenë sadopak kuptim dhe që të paktën të tregojnë disa rezultate pozitive në një të ardhme të parashikueshme. Mossuksesi ishte i dukshëm edhe në sytë e atyre që nuk i njohin rrethanat, andaj edhe shtypi servil serb, në Serbi dhe në rrethinë, e heshti “në mënyrë elegante” një tjetër “fitore” diplomatike të presidentit të Serbisë dhe kreut të serbëve.
Këto konstatime, natyrisht, mund të thuhen edhe në formë më të përshtatshme dhe të rrjedhshme, me anë “të shprehjes së shpresës së sinqertë se e ardhmja do të sjellë mundësi dhe shanse të reja që negociatat të jenë të dobishme për të dyja palët”, dhe kështu me radhë, apo me formulime të ngjashme e të sjellshme diplomatike – por esenca mbetet e njëjtë: prapë kemi ngecje të rëndë dhe vonesë historike në negociatat e Kosovës dhe Serbisë, të cilat shkaktojnë dëme për të dyja palët, por, menjëherë pas kësaj, edhe një “ide të re dhe origjinale”, vetëm në dukje befasuese, për bashkëpunimin rajonal të përmasave dhe ndikimit historik, të cilën, natyrisht, vetvetes dhe të tjerëve ua propozon aksi Beograd-Tiranë-Shkup.
Notat e këtij operacioni të emërtuar, me pompozitet dhe, le ta themi lirshëm fjalën e shkruar, shundshëm “Open Balkans”, veçse pasuan. Intriguese është se mbështetja arrin nga qarqet më radikale nacionaliste të rajonit (lexo: partia “serbe” nga Mali i Zi dhe pjesa serbe e Bosnjë-Hercegovinës), nga disa adresa të jashtme që nuk e mbështesin të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor, por, së paku formalisht, edhe nga adresat diplomatike amerikane të vendeve të rajonit.
Reagimet e fundit amerikane, pashmangshëm, veçse janë manipuluar si dëshmi kurorëzuese se si “Ballkani i Hapur” nuk është një tjetër tentim që Ballkanit Perëndimor t’i imponohet skenari thelbësisht anti-BE (apo të paktën: jo-BE), madje edhe me Serbinë e Vuçiqit si lidere dhe “spiritus movens” të besimit rajonal dhe të “integrimeve” të bazuara në të.
(Me anë të leximit të kujdesshëm të deklaratave amerikane – të ambasadave në Prishtinë dhe në Sarajevë – megjithatë aludohet në një dozë distance dhe kujdesi, me gjithë qëndrimin parimor që as nuk do ta kishte ndonjë të metë sikur të mundeshim që, të paktën për një çast, t’i abstrahonim gjithë ato që për vite me radhë ndodhën në pjesën ballkanike të Evropës. Për shembull: “I inkurajojmë të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që ta përdorin vrullin e fundit për përparim të mëtejshëm dhe që të marrin përsipër punën e vështirë të realizimit të angazhimit të përbashkët kah formimi i një tregu të përbashkët rajonal”. Nëse edhe kjo kuptohet si mbështetje eksplicite për presidentin serb dhe homologun e tij shqiptar, atëherë ka kaluar përgjithmonë koha e finesave dhe e shtresimeve në shprehjen diplomatike, dhe gjithçka duhet thënë shkurt e qartë, në mënyrë njëdimensionale dhe “trup”. Megjithatë, diplomacia amerikane i mbijetoi thjeshtësimet dhe vrazhdësinë e mandatit të Trumpit. Nuk duhet llogaritur në atë se diplomacia Biden-Blinken nuk kupton çfarë po ndodh në Ballkanin Perëndimor).
Për këtë të lartpërmendurën do të ishte e dobishme, sipas të gjitha gjasave, që t’i numërojmë kundërthëniet më të rëndësishme dhe problemet që ndërlidhen me nismën, në të cilën nuk ka përfaqësues të Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi.
E para, mungesa e kredibilitetit të nismave të reja rajonale/shumëkombëshe në një situatë kur mbi dy problemet kryesore që e përcaktojnë shkallën e (jo)stabilitetit në të gjithë Ballkanin Perëndimor – marrëdhënia Serbi-Kosovë në njërën anë dhe në tjetrën qëndrueshmëria, tërësia dhe funksionimi i Bosnjë-Hercegovinës si shtet – qëndron ende hija e destabilizimit dhe konfliktit të mundshëm.
Thënë shkurt: të gjitha përpjekjet që nëpërmjet formës së bashkëpunimit kryekëput apo theksueshëm ekonomik “të kapërcehen” apo margjinalizohen problemet dhe mosmarrëveshjet historike në adresat e përmendura dhe të papërmendura (ne, gjithsesi, nuk do ta dhe nuk mund ta harrojmë situatën aktuale në Mal të Zi dhe reperkusionet e mundshme destruktive afatgjate, edhe për vendin tonë, por edhe për të gjithë rajonin), tregojnë, të paktën hë për hë, (dhe fatkeqësisht pa përjashtime), se synimet e tilla, madje edhe nëse mbështeten prej adresave evropiane më me ndikim (Gjermania dhe Franca), përplasen për murin e realitetit të zymtë ballkanik, në të cilën vragat dhe plagët e konflikteve dhe krimeve tragjike janë ende pjesë e përditshmërisë sonë.
“Thika, teli, Srebrenica”, mjerisht, nuk ndodhin me ekonominë, e veçmas jo nëse promovuesit e këtyre lirive, lehtësive dhe hapjeve të reja ekonomike janë pikërisht ata, politikat e të cilëve për të gjitha ato vite bazoheshin dhe në fakt vareshin prej nacional-shovinizmit të rëndë, revanshizmit dhe demagogjisë ksenofobike.
E dyta, dhe gjithsesi e lidhur ngushtë me të parën, fakti se përsëri ballafaqohemi me përpjekjen që të imponohet Minishengeni numër 2, me emrin “Ballkani i Hapur”, tregon se Aleksandar Vuçiqi ka ende hapësirë manovrimi që ta luajë liderin rajonal, ashtu që (vazhdimisht dhe pa shumë sukses) t’i thërrasë fqinjët në veprime kolektive dhe konfigurime të reja rajonale e që, me këtë rast, në aranzhimin e tij politik dhe diplomatik, në të gjithë shembujt bilateralë – në rastet e komunikimeve dhe marrëdhënieve me akëcilin prej fqinjëve individualisht – i ka vetë të theksuara pak a shumë të gjitha problemet, krizat dhe mosmarrëveshjet. Adresa se ku, për të këtilla raste, duhet kërkuar fajtori kryesor është e ditur. Serbia është emëruesi i përbashkët i të gjitha këtyre problemeve.
Rajoni ka stërpritur – edhe më tutje pret – që partnerët dhe miqtë, nga që të dyja anët e Atlantikut, ta shohin faktin e thjeshtë se është gjë kundërproduktive që të thirret dhe promovohet Serbia e të tjerat të thirren që ta kuptojnë dhe të pranojnë një pozitë të tillë, teksa po kjo e njëjta Serbi nuk ofron kurrfarë garancish dhe nuk shfaq interesim (t’i përdorim këta eufemizma për këto situata të vështira) për ta ruajtur tërësinë e Bosnjë-Hercegovinës, për ta respektuar pavarësinë e Malit të Zi, për ta pranuar realitetin në Kosovë dhe për të krijuar komunikime me Prishtinën zyrtare, të cilat do të ishin të qëndrueshme dhe reciprokisht të dobishme… Krejt derisa të zgjasin dhe ushqehen këto ngarkesa të rënda, projektimet shtetmëdha që Beogradi tani i quan “botë serbe”, me këtë koncept të emërtimit të ri dhe retorikës malinje që e shoqëron atë, përpjekjet që projektet e moçme rajonale të zëvendësohen me po këto projekte të moçme veçse me emër të ri – do të kenë jo vetëm emërtim ballkanik, por edhe fat pazakonshmërisht ballkanik. Të hedhësh nga e zbrazëta në boshllëk, do të thoshte populli ynë.
E treta, dhe jo vetëm si shprehje e respektit të duhur – ngase nëpër fotografi, përkrah Vuçiqit, edhe Rama me përvojë dhe Zaevi me paksa më pak përvojë – duhet të përmendim edhe motivimin e tyre të mundshëm për këto imazheri të reja rajonale.
Kryeministri shqiptar s’do mend se ka arsye që ta mbështesë presidentin serb, pavarësisht se çfarë mendon ai rreth operacionalitetit dhe zbatueshmërisë së projekteve së cilave u bashkohet. Shqipëria është anëtare në NATO dhe e vetëdijshme se agjenda evropiane ndodhet në një krizë serioze. Andaj nuk i kushton shumë që t’i gostisë fqinjët serbë dhe maqedonas, apo t’u shkojë në mysafirllëk. E tëra tekefundit bukur duket. Shqipëria nuk është “gur vajtimi”, është parimisht e hapur për bashkëpunim, e me Serbinë, pikërisht me dyshen Vuçiq-Rama (meqë në skenë më nuk është përfaqësuesja e lartë Mogherini, e as Hashim Thaçi), e ka edhe përpjekjen (e pasuksesshme) për negociata rreth ndryshimit “të drejtë” të kufijve, shkëmbimit të territoreve dhe “demarkimit përfundimtar me shqiptarët”, siç e tha këtë pa e tjerrë fort, me fjalë të tjera pa e zbutur, zotëri Vuçiqi.
Ideja se këto negociata do të rihapeshin lehtësisht – kur të nisë bashkëpunimi i suksesshëm ekonomik në “Ballkanin e Hapur” – imponohet logjikisht si opsion.
Entuziazmi i z. Ramës ka, megjithatë, edhe një defekt të rëndësishëm. Kosova, jo vetëm në figurën e Albin Kurtit dhe Qeverisë së tij, por, siç mund të kuptohet, edhe në pjesën dominuese dhe mbizotëruese të publikut politik dhe intelektual, nuk i çmon elementet së tepërmi teatrale në takimet Beograd-Tiranë, dhe as, ç’është shumë më e rëndësishme, esencën e tyre pak a shumë të dukshme. Përmbledhtas: duket joreale të pritet që Kosova të inkuadrohet sinqerisht dhe pa rezerva në qarqet rajonale të bashkëpunimit që e injorojnë, apo e vënë nën qilim ose e konsiderojnë si komplikim të panevojshëm çështjen e finalizimit formal të Pavarësisë së Kosovës. Në këtë aspekt, dhe jo vetëm në segmentin shqiptar të këtij rrëfimi, bashkëpunimi rajonal është i papërfunduar pa Kosovën.
Për sa i përket pjesëmarrjes së zotëri Zaevit, me gjithë respektin e thellë për miqtë maqedonas, për të cilët Mali i Zi ushqen ndjenja të sinqerta afërsie dhe dashamirësie, duket se nuk e ka ndonjë justifikim më të përshtatshëm sesa atë: “Ajo që duhet bërë, nuk është fort e zorshme”. Maqedonia e Veriut është edhe më tutje e brishtë për shumë çështje, andaj kryeministri maqedonas mban, me hatër a me zor, qëndrim pozitiv edhe për këtë përpjekje të re.
E katërta dhe po kaq me rëndësi, për ne në Mal të Zi, është në fakt marrëdhënia e Podgoricës zyrtare karshi krejt kësaj. Një marrëdhënie e tillë faktikisht nuk ekziston, ngase Mali i Zi momentalisht nuk ka diplomaci. Apo anasjelltas, nëse kështu është më lehtë.
Hë për hë, lavdet për iniciativën dhe udhëheqjen e Vuçiqit janë dëgjuar prej krerëve të Frontit Demokratik. Të tjerët, kujdesi dhe\apo mosdija dhe mungesa e qëndrimit për të këtilla çështje i kanë frenuar që të deklarohen publikisht. Nuk munden, mbase, as të deklarohen publikisht, ngase z. Mandiqi dhe z. Knezheviqi u paraprinë me lavdet e tyre për politikën e Jashtme dhe rajonale serbe.
(Vini re: Edhe kryeministri aktual e edhe ministri aktual i Punëve të Jashtme presin që t’i thërrasin koleget dhe kolegët nga Beogradi për takim. Nuk duket se lutjet e tyre të përsëritura kanë ndonjëherë jehonë në Serbinë vëllazërore e motërore).
“Ballkani i Hapur” është problematik për Malin e Zi në kontekstin e penetrimit të interesave ekonomike serbe tek ato segmente të ekonomisë malazeze që janë strategjikisht të rëndësishme. Kjo gjë nuk pengoi që ministri Spajiq dhe z. Mali, deputetë nga Beogradi, të përcaktojnë kohë më parë në Podgoricë se si iniciativa e re është shumë e qëlluar për zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Open Balkans” ka tingëllimë “më ndërkombëtare” sesa “bota serbe”, kundër së cilës Qeveria në Mal të Zi përgjigjet sikurse ndaj ndonjë deklarate të pakujdesshme të “ndonjëfarë ministri Vulin”.
Në fund: është krejtësisht e mundur që “Ballkani i Hapur” të jetë vetëm edhe një tjetër prej shumë konstruksioneve që nevojiten për ta larguar vëmendjen nga problemet e përnjëmendta historike të Ballkanit Perëndimor, nga çështjet dhe situatat e pafundme që Beogradi zyrtar as nuk e ka synimin, e as interesimin, që të provojë t’i zgjidhë, por të blejë edhe pak kohë në përpjekjen që negociatat mes Serbisë dhe Kosovës të mos përfundojnë kurrë.
“Ballkani i Hapur” nuk është zgjidhje, veçse shprehje e intencës që zgjidhje të plotë, stabile dhe të qëndrueshme për rajonin të mos ketë.
Kjo ngase, po qe se herë do kurdo të ketë, politikat shtetmëdha dhe nacionaliste do të mposhten, e regjimi dhe autoritetet që mbahen pas tyre do të bëhen punë e së shkuarës. Atëherë edhe agjenda evropiane e Ballkanit do të bëhet gjë konkrete dhe e mundur, e jo vetëm një shprehje e lirë për strukturat qeverisëse të vendeve tona.
Atëherë edhe ata që shtrojnë pyetje legjitime se çfarë është dhe për çfarë shërben “Open Balkan” nuk do të sulmohen se janë kundër bashkëpunimit, zhvillimit të përbashkët dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Apo të paktën shpresojmë.
(Autori është ish-ministër i Jashtëm i Malit të Zi dhe ish-ambasador në SHBA dhe pranë Selisë së Shenjtë)