zoom

Aktualitet

Balliu zbulon detaje nga burgu 313: Meta pa sinjal në qeli dhe pa takime familjare

Balliu zbulon detaje nga burgu 313: Meta pa sinjal në qeli dhe pa takime familjare

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka folur për mediat pas takimit me ish-presidentin Ilir Meta në ambientet e paraburgimit 313, duke ngritur disa shqetësime mbi kushtet dhe trajtimin e tij.

Sipas Balliut, dhoma ku mbahet Meta ka një problem specifik krahasuar me qelitë e tjera, pasi, sipas tij, mungon sistemi i sinjalizimit për të thirrur efektivët e sigurisë në rast nevoje. Ai e konsideroi këtë si një element që tregon mënyrën e trajtimit ndaj ish-kreut të shtetit.

Deputeti deklaroi gjithashtu se Meta nuk ka mundur të takojë prindërit e tij prej rreth 19 muajsh, ndonëse ata ndodhen në gjendje të rënduar shëndetësore. Po ashtu, ai theksoi se komunikimi me drejtuesit e partisë së tij, përfshirë Tedi Blushi, nuk realizohet drejtpërdrejt, por përmes ndërmjetësve.

“Kisha dëshirë ta sqaroja për disa gjëra, por më sqaroi mua ai. E vetmja qeli në të gjithë burgun që nuk punon sinjali për të thirrur oficerin e policisë për një arsye që mund të ketë i burgosuri, vetëm kaq mjafton për të treguar se sa në imtësi ata merren me këto çështje.

Ilir Meta i përballon të gjitha, edhe atë kafazin që kërkojnë ta mbajnë me zor gjatë gjyqit. Ai kërkon atë që është më minimalja: komunikimin me deputetët e tij. Edhe me kreun e grupit parlamentar të PL-së, Tedi Blushi, duhet të flasë nëpërmjet dikujt tjetër, sepse nuk e lejojnë të flasë në mënyrë direkte.
Prej 19 muajsh nuk takon prindërit e tij që janë të sëmurë. Ai kërkon që seancat të jenë publike, që qytetarët të dëgjojnë ku Ilir Meta ka vjedhur qoftë një 1 cent të shtetit shqiptar. Qeveria po bën çmos që seancat gjyqësore të jenë të fshehta. Ju kujtoj Navalnyn, që iu dha e drejta për intervistë; Ilir Metës nuk i jepet mundësia.

E vetmja gjë që ai kërkon është transparenca me qytetarët. Nuk është këtu për vjedhje, por për denoncimin e aferave korruptive të Edi Ramës. Ndodhet prej gati 2 vitesh në paraburgim, pa asnjë akuzë.
Meta i ka ndjekur reagimet, mund t’ju them që është në ‘top formë’ për betejën. Ai i ndjek të gjitha, është super i qartë. Patjetër që çdo gjë që ndërmerr qeveria e bën prej frikës, sepse s’kanë gjetur asgjë. Për këtë arsye nuk duan që t’i bëjnë seancat publike”, tha ai./ Zoom.al

Postime të lidhura