Aplikacion
Bashkim Rajku, babai i Noizy dhe motra e reperit janë paraqitur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dëshmitarë në gjyqin ndaj Laert Haxhiut.
Në seancën e mëparshme ishte parashikuar të dëshmonte edhe vetë Noizy, por seanca u shty.
Familjarët e reperit janë pjesë e listës prej rreth 60 dëshmitarësh të kërkuar nga mbrojtja e Haxhiut, i cili po përballet me drejtësinë si i dyshuar për drejtimin e një grupi kriminal të akuzuar për 14 ngjarje të rënda kriminale, mes tyre vrasje, atentate, shpërthime me tritol dhe grabitje me armë.
Një nga episodet për të cilat po zhvillohet gjykimi lidhet edhe me vendosjen e tritolit në lokalin në pronësi të Noizyt në Durrës. Për këtë ngjarje, avokatët kanë kërkuar dëshminë e Bashkim Rajkut dhe të djalit të tij.
Sipas hetimeve, grupi i Laert Haxhiut dyshohet se qëndron pas shpërthimit me eksploziv në lokalin e reperit.
Si autorë të dyshuar të ngjarjes, policia ka përmendur Laert Haxhiun, Artan (Marjus) Tafanin, Lulzim Spahijan, i njohur ndryshe si “Arapi”, si dhe Erisiano Abedinin.
Ngjarja ndodhi në mëngjesin e 8 qershorit 2022 dhe fatmirësisht nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale.