zoom

Aktualitet

Avokati mbetet në intubim, flet mjeku i Traumës: Këto janë orë vendimtare për jetën e tij

Shefi i Urgjencës së Traumës, Gjovalin Bushi, ka treguar disa detaje për gjendjen shëndetësore të avokatit Sokol Mëngjesi, i cili ndodhet në intubim pas një sulmi fizik.

Në një prononcim për mediat shefi i Urgjencës së Traumës tha se orët në vijim do të jenë vendimtare për shëndetin e avokatit. Ai tha se në kushtet aktuale nuk mund të kryhet asnjë ndërhyrje kirurgjikale, por duhet parë të paktën për 72 orë se si do të reagojë pacienti.

“Duhet ta themi që është një dëmtim i madh dhe orët në vijim janë vendimtare, është konstatuar që është një ulje të edemës. Në këto kushte nuk duhet të kryhet operimi, por duhet parë të paktën për 72 orë se si do të reagojë pacienti. Është në monitorim të vazhdueshëm, por deri tani nuk ka nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale”, tha Bushi.

Mëngjesi u sulmua një ditë më parë në ish-Bllok nga katër të rinj që u identifikuan si Romario Tabaku, Elton Kasaj, Drivald Alija dhe Dorian Alia. Ky i fundit u vetëdorëzua në polici ditën e djeshme. Ai ka pranuar para hetuesve që ata e kishin planifikuar sulmin. Alia ka deklaruar se e kishin ndjekur avokatin dhe rrinin vazhdimisht duke komunikuar me agresorët e tjerë për lëvizjet e tij.

I riu ka pranuar se dhuna ka ardhur si pasojë e konfliktit të lindur mes tyre dhe avokatit për pjesën e pagesave të kontratës për pronën.

Nga ana tjetër, Dritan Nano, ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor.

Ngjarja ndodhi në ambientet e kopshtit nr.31 në zonën e ish Bllokut, ku Mëngjesi po çonte djalin e vogël, ditën e djeshme, 29 maj.

Postime të lidhura