zoom

Aktualitet

Autoshkollat bojkotojnë punën për shkak të ndryshimit me çmimet e patentës nga DPSHTRR: 1 javë afat

Autoshkollat kanë bojkotuar për 1 ditë aktivitetin e tyre, duke mos kryer asnjë shërbim pranë drejtorive rajonale të degëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Shkak për këtë vendim është bërë mënjanimi dhe mosinformimi i tyre, si grupe interesi mbi ndryshimin e tarifave të shërbimit nga DPSHTRR-ja apo moszbatimi i udhëzimeve për ndihmën mjekësore dhe kryerjen e pagesave për shërbimin e marrë nga autoshkollat në bankë.

Shoqata pretendon se ka pasur mënjanim dhe mosinformim në kohën e duhur si grup interesi që janë, para se vendimi të merrej nga institucionet përkatëse.

Protestuesit thanë se tarifat janë vendosur pa u diskutuar me ta, çka do të thotë që i rëndojnë më tej buxhetet e tyre. Protestuesit u ankuan edhe se ka shumë probleme sa i përket formalizimit të tregut, pra ka shumë autoshkolla të cilat në fakt nuk zbatojnë rregullat dhe Kodin siç duhet qoftë sa i përket orëve të mësimit, ekspertëve apo edhe pagesave dhe kjo sipas tyre shkel barazinë në lojë.

Bojkoti në të gjitha drejtoritë do të zhvillohet vetëm sot. Ata lanë një afat deri në fundjavë, dhe nëse nuk merren masa, do të ketë një protestë të shtunën para kryeministrisë ku do të vijnë autoshkollat e vendit dhe do të ketë një përshkallëzim të protestës së tyre.

Ndërkaq, në rast të mos reagimit nga institucionet, autoshkollat njoftojnë protestë përpara kryeministrisë.