Aplikacion
Australia do të njohë shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara muajin e ardhshëm, tha të hënën kryeministri Anthony Albanese, një veprim që shton presionin ndërkombëtar mbi Izraelin pas njoftimeve të ngjashme nga Franca, Britania dhe Kanadaja.
“Australia do ta njohë Shtetin e Palestinës në Sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, për të kontribuar në vrullin ndërkombëtar drejt një zgjidhjeje me dy shtete, një armëpushimi në Gaza dhe lirimin e pengjeve”, tha Albanese në një deklaratë.
Albanese deklaroi se njohja do të bazohet në angazhimet që Australia ka marrë nga Autoriteti Palestinez, duke përfshirë edhe faktin që grupi militant islamik Hamas nuk do të ketë asnjë përfshirje në asnjë shtet të ardhshëm.
“Një zgjidhje me dy shtete është shpresa më e mirë e njerëzimit për të thyer ciklin e dhunës në Lindjen e Mesme dhe për t’i dhënë fund konfliktit, vuajtjeve dhe urisë në Gaza”, u shpreh ai në një konferencë për shtyp.
Albanese shtoi se foli me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të enjten dhe i tha atij se nevojitej një zgjidhje politike dhe jo ushtarake.
Australia javën e kaluar kritikoi planin e Izraelit për të marrë kontrollin ushtarak të Gazës, dhe Albanese deklaroi se vendimi për të njohur një shtet palestinez u “imponua më tej” nga shpërfillja e Netanyahut ndaj thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare dhe dështimi për t’iu përmbajtur detyrimeve ligjore dhe etike në Gaza./ZOOM.AL