Aplikacion
Në skenën e diplomacisë ndërkombëtare, ku çdo detaj ka peshë, nga fjalët deri te ngjyra e kravatës, zgjedhjet personale nuk janë kurrë thjesht personale.
Në samitin e fundit të NATO-s, ndërsa liderët botërorë qëndronin në rresht, të veshur në mënyrë të njëtrajtshme, kryeministri shqiptar Edi Rama doli në pah edhe njëherë, siç ndodh rëndom, për atletet e bardha.
Ka nga ata që vazhdojnë ta lexojnë këtë si një shenjë origjinalitetit, një akt të një njeriu jashtë formaliteteve të burokracisë, të një njeriu që është kudo vetvetja.
Por në realitetin e sotëm, në një samit ushtarak të një aleance që është thuajse në luftë, me nje konflikt të hapur me Rusinë dhe me SHBA që sapo sulmoi Iranin, kjo zgjedhje është më shumë një gafë avdalli sesa një rebelizëm i zgjuar ndaj formales.
Sepse aty Edi Rama nuk përfaqëson më veten, as stilin personal, por një shtet dhe veshja është pjesë e seriozitetit që ai përçon.
Kur ndodhesh mes liderëve të aleancës më të fuqishme ushtarake të botës, nuk je artist në skenë, as skulptor në studion te Piazza, por përfaqësues i një kombi në tryezën e sigurisë globale. Në këtë kontekst, atletet e bardha nuk flasin për thyerje të skemave, por për moskuptim të momentit dhe një mungesë respekti për të tjerët në samit dhe për vendin.
Në një samit të këtij niveli, në kontekstin ku ai zhvillohet, protagonizmi është fare i pavend.
Sepse aty liderët e vendeve të NATO-s janë mbledhur për të treguar mençuri, jo për spektakël anadollak mode./ Zoom.al