zoom

Ide & Blog

Arsimi po kthehet në sëmundjen më të rëndë të kombit

Qoka sociale e arsimit të lartë !
Rreth viteve 2000 kur punoja në Fakultetin Ekonomik, kishte studentë të cilët nuk merrin dot provimet por merrin cdo muaj bursë nga shteti sepese vinin nga familje të varfra. Asnjëherë nuk e gjeta një arsye bindëse përse paratë publike duhet të investoheshin tek një student që ngrihej nga gjumi në 12 të drekës, nuk shkonte në shkollë, sorrollatej rrugëve e kafeneve, merrte një 5 me të shtyrë vetëm herën te tretë?
Me hapjen e universiteteve private e kuptova arsyen. Një diplomë universitare i “lumturonte” shqiptarët. Krijonte iluzionin e intelektualit , të shkolluarit, rriste mundësitë e suksesit edhe të punësimit. Mendësi kjo që u bë e dukshme kur familjet shqiptare ishin të gatshme të paguanin , edhe pse i riu/e reja nuk e kishte mendjen tek shkolla. Hyrja në universistet përdoret rëndom si albi për të bërë “asgjë “ sespe medemek je student. Kjo sëmundje për disa nuk mbaron këtu. Disa tentojnë të cojnë fëmijet e tyre edhe në universitete jashtë edhe pse fëmija nuk ka interesin e nevojshëm edhe të mjaftueshëm për shkollë. Pritshmëria se universiteti eshtë hapi tjetër logjik është rritur në mënyrë eksponenciale në dekadat e fundit. Shqiptarët duan diploma! Edhe pse qeveria të mos i lejojë të marrin kartona pa vlerë? Cila qeveri populiste do t’ju hiqte votuesve mundësinë për të gënjyer veten, aq më tepër kur nuk ofrohet asnjë alternativë tjetër të qëndrueshme për zhvillimin profesional?
Në fakt , kur ulet mesatarja e hyrjes 6.5, qeveria rrit mundësinë që cdo individ apo familj e të investoj për vete dhe pjestarin e vet, duke anashkalar faktin që universiteti është vendi i shenjtë i dijes, i cili u takon atyre të rinjve që kanë kuptuar nevojën dhe kanë dëshirë për dije. Nëse të paaftët për t’ju përkushtuar dijes dhe shkencës pranohen në universitet, dëmi është i parikuperueshëm. Bari i keq e zë shumë shpejt vendin e bimës së mirë. Të aftët do të vazhdojnë gjithë jetën e tyre, si në rininë e hershme, të mbështeten tek puna edhe të përdorin aftësinë edhe mundësinë që në çdo rast janë te limituara.Ndërsa i padituri me diplomë, do vazhdojë të vendos në punë dëshirat që janë të palimituara, të cilat i realizon pa drojë duke përdorur cdo mjet që justifikon qëllimin. Të paaftët për të mësuar, që futen në universitet, përse të mos bëhen me master, po doktorë pse jo? Më pas profesorë duke ngritur në pjedestal triumfin e paaftësisë.
Cilësia në arsim fillon duke hequr dorë nga masiviteti. Fjala student duhet të konsiderohet titull që nuk mund t’i takojë kujtdo. Kemi nevojë të forcojmë sitën e hyrjes në universitet. Përtej cilësisë kjo do të na ndihmojë të ndërgjegjësohemi dhe të vlerësojmë me realitet fëmijet e tanë , kapacitetet e tyre, talentet e tyre, duke kuptuar që nuk është universiteti e vetmja mënyrë për te qenë i sukseshëm në jetë. Rrugët e sipërmarrjes , përshembull, nuk kalojnë gjithëmonë nëpërmjet rrugëve të dijes.
Arsimi i lartë qartazi është përdorur edhe po përdoret si “qokë sociale”. Si rrjedhojë e kësaj qasje, arsimi lartë qelb erë mediokritet, edhe ky qelb po shpërndahet me shpejtësi në gjithë korpusin tonë arsimor, duke u kthyer ne sëmundjen më të rendë të kombit.