zoom

Aktualitet

Arrestohet e dashura e Safet Bajrit, për cilën vrasje akuzohet

Pas Safet Bajrit, një personazh i njohur i botës së krimit, në prangat e policisë ka rënë edhe e dashura e tij.

Burime për Zoom.al konfirmojnë se e dashura me inicialet E. A. është arrestuar pesë ditë pas prangosjes së Safet Bajrit, pra më 26 shkurt.

Ajo është pronare e një dyqani rrobash në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë.

E dashura e Safet Bajrit akuzohet për vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018 në Shkodër, ngjarje për të cilën u arrestua edhe Bajri.

Sipas Gjykatës së Posaçme, ajo ka bashkëpunuar me Safet Bajrin për këtë vrasje sepse ka krijuar kushtet dhe ka përkrahur autorin për krimin.

SPAK arrestoi Safet Bajrin më 21 shkurt me akuzën se në bashkëpunim me Asmer Bilalin dhe kushëririn e tij të parë Behar Bajrin, kanë organizuar dhe kanë kryer vrasjen e Fatbardh Licit me paramendim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Motivi i vrasjes së Licit – thotë SPAK, lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici, ky i fundit i shpallur në kërkim, kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana më 15 korrik të vitit të 2018, i cili u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci, ndërsa fëmija 3-vjeçar shpëtoi. Për këtë ngjarje që autoritetet ende nuk e kanë zbardhur, një muaj më pas Bajrët morën hak duke vrarë xhaxhanë e Licit.

Postime të lidhura