zoom

Aktualitet

Arbitrazhi, gropa e re në buxhetin e shtetit. Becchetti dhe çështjet e tjera që ka humbur qeveria Rama

Kryeministri Rama deklaronte me siguri të madhe para zgjedhjeve të 25 prillit se Shqipëria nuk do t’i paguante asnjë lekë Francesco Becchettit, pronarit të televizionit Agon Channel që u mbyll nëpërmjet procedurash të diskutueshme dhe që arbitrazhi i ka konsideruar të kundërligjshme.

“Zero lekë”, premtonte Rama, por sot buxheti i shtetit do të heqë një pjesë të majme për t’i çuar në xhepat e invesitorit italian, i cili e shpalli me një banderolë të madhe elektronike në mes të Romës, pak ditë më parë, fitoren ndaj Shqipërisë.

Ministrja e Financave, Anila Denaj, u detyrua ta pranojë se pagesa do të kryhet. Tashmë, kur zgjedhjet kanë mbaruar, efekti i një pohimi të tillë në elektorat është thuajse zero, por jo paratë që do të dalin nga xhepat e shqiptarëve.

Sa do t’i paguajë realisht shteti shqiptar italianit Becchetti dhe sa është shuma që Shqipëria ka humbur në arbitrazh? Open Data ka bërë një përllogaritje të detajuar në lidhje me proceset kundër Shqipërisë në gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit.

Zoom.al po e boton të plotë hulumtimin mbi këtë çështje.

Open Data Albania po hulumton mbi detyrimet e Shtetit Shqiptar sipas Vendimeve tё Arbitrazhit Ndёrkombёtar. Në këtë artikull do të evidentohen detyrimet e njohura nga vetë shteti përmes dokumentit shtetëror Raporti i Mes-Vitit mbi zbatimin e Buxhetit Shtetëror 2020. Ky raport është dokument zyrtar dhe ёshtё detyrim ligjor tё hartohet dhe tё publikohet nga Ministria e Financave dhe paraqitet në Këshillin e Ministrave  sё bashku me Programin Buxhetor Afatmesëm.

Deri nё Qershor 2020, Shteti Shqiptar njeh detyrime tё mbetura që lidhen me Arbitrazhet Ndërkombëtare në vlerën totale prej 109 485 296 Euro. Detyrimi përbëhet nga Dëmshpërblime që shteti shqiptar duhet tu japë palëve, kryesisht biznese që kanë fituar në Arbitrazh ose kosto shpenzime arbitrazhi. Këto detyrime përveçse janë të formës përfundimtare, edhe janë njohur nga Shteti. Ndërkohë ka procese të tjera Arbitrazhi që ende nuk kanë marrë formën përfundimtare apo ende nuk janë njohur zyrtarisht nga Shteti ynë. Po njësoj detyrime janë edhe kostot administrative tё arbitrazhit apo kamatat e mosshlyerjes së detyrimit menjëherë në Kohë.

Janë shtatë çështje në Arbitrazh për të cilat Shteti ynë njeh detyrime financiare. Këto detyrime janë dëmshpërblime për Palë Investitorё Privatё apo Biznese që kanë pretenduar apo paditur Shtetin shqiptar, sikurse edhe kosto që lidhen me procesin e gjykimin në arbitrazh, konkretisht

  1. Familja Becchetti kundёr shtetit shqiptar;
  2. J & P Avax kundër Ministrisë së Transportit;
  3. SAFA shpk kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
  4. Valeria s.r.l kundёr Ministrisё e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
  5. Anglo-Adriatica Group Limited vs Shqipërisë kundër Ministrisë së Financave;
  6. Porti Karpen HFW LLC kundrejt Shqipërisë;
  7. TIA shpk kundrejt Shqipërisë

Peshёn me tё madhe ndaj kostos totale tё Arbitrazheve, me rreth 91,3% e ka çështja Hydro dhe tё tjerёt kundёr Shqipёrisё – Familja Becchetti. Ky vendim është njohur nga shtetit shqiptar si detyrim që në dokumentin zyrtar Raporti i Mes Vitit mbi Zbatimin e Buxhetit 2019, tё publikuar nga Ministria  e Financave dhe Ekonomisё. Detyrimet për këtë cështje janë në vlerën 99.6 milion Euro Dëmshpërblim i drejtpërdrejtë ndaj Investitorit dhe 0.3 milion Euro kosto administrative tё procesit tё arbitrazhit. Në llogaritë e tij, Shteti Shqiptar e ka njohur vetëm 99.9 milion Euro. Por Vendimi i Arbitrazhit e ka gjykuar 108 milion euro.

Vlera e njohur dhe raportuar nga Qeveria Shqiptare nuk përfshin kamatën për vonesën e pagesës së Dëmit të Vendimit 2018. Në këtë vendim parashikohet se për cdo vit Vonesë Qeveria Shqiptare ngarkohet me një kamatë që është normë LIBOR plus 3% interes të përbërë, kamatë që e rrit detyrimin çdo vit me disa milion Euro shtesë. Shkak i mosmarrёveshjeve mes palёve është pengesa për realizimit e investimeve nё hidrocentralin e Kalivaçit, Televizionin AgonSet dhe impjantin e trajtimit tё mbetjeve nga kompanitё Hydro s.r.l dhe Costruzioni s.r.l. Palë përveç Francesco Becchetti në pretendim janë edhe aksionerët e tjerë Mauro De Renzis, Stefania Grigolon dhe Liljana Condomitti.

Njё tjetёr detyrim lind nga konflikti i shtetit shqiptar me Anglo-Adriatic Group Limited, e cila krijoi në Shqipëri fondin Anglo Adriatika Investment Fund sh.a me qëllim mbledhjen e kuponëve të privatizimit. Ky konflikt i kushton Shtetit 1 milion Euro. Kjo çështje në arbitrazh është fituar nga shteti ynë, por pagesa njihet për shpenzimet administrative të Arbitrazhit.

Nga Buxheti i Shtetit duhet tё paguhet gjithashtu dhe vlera prej 550 000 Euro pёr konfliktin ndërmjet Ministrisё sё Bujqёsisё dhe Zhvillimit Rural dhe kompanisё Valeria Italia s.r.l. Kompania Italiane Valeria s.r.l ka filluar procesin e arbitrazhit ndaj Shqiperise nё vitin 2018, në lidhje me një ndërmarrje të fermave të produkteve bujqësore. Sipas Raportit tё Mes-vitit tё Zbatimit tё Buxhetit 2020, Ministria e Financave dhe Ekonomisё njeh si detyrim tё Shtetit Shqiptar ndaj Palёs Private vetёm koston  totale tё shpenzimeve pёr avokatёt dhe kostot fillestare tё arbitrazhit nё vlerёn  769 500 Euro, dhe deri nё Qershor 2019 janё likujduar nga shteti shqiptar 219 500 Euro. Për këtë  Çështje nuk ka ende njё Vendim final tё Gjykatёs Ndёrkombёtare tё Arbitrazhit.

Njё tjetёr shumё qё duhet tё paguhet nga Buxheti i Shtetit ёshtё detyrimi ndaj shoqёrisё “J&P AVAX” s.a, nё vlerёn 4 214 402 Euro, si rezultat i konfliktit mes kompanisё dhe ish Ministrisё sё Punёve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit (sot Ministria e Infrastrukturёs dhe Energjisё). Konflikti ka lindur pёr shkak tё mosmarrёveshjeve mes palёve gjatё zbatimit tё kontratёs nr. C-006, datё 22.05.2005 Pёr ndёrtimin e segmentit rrugor Gjirokastёr – Tepelenё, pjesё e korridorit Veri-Jug.

Konflikti mes kompanisё SAFA sh.p.k dhe Ministrisё sё Infrastrukturёs dhe Energjisё  i ka shkaktuar buxhetit tё shtetit koston prej 3 543 338 Euro. Kjo çёshtje lidhet me projektimin dhe ndёrtimin e rrugёs Tiranё – Elbasan. Nga Raporti i Ministrisё sё Financave evidentohet se nё kёtё vlerё janё pёrfshirё vlera e dёmshpёrblimit ndaj Investitorit prej 2 495 166 Euro dhe kostot administrative tё Arbitrazhit nё vlerёn 1 048 166 Euro.

Detyrim tjetёr qё Ministria e Financave dhe Ekonomisё njeh si detyrim Arbitrazhi tё Shtetit Shqiptar ndaj Palёs Private, ёshtё vlera prej 217 563 Euro, pёr HFË LLC Porti Karpen.

Nё lidhje me kёtё, me Ligjin Nr. 77/2016  për “Përcaktimin e Proçedurёs së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt, projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike, ndërmjet shtetit Shqiptar dhe kompanisë “Star Bridge Port Developments Limited”, u parashikua ndërtimi i një porti me thellësi të madhe në zonën e Karpen, Kavajë, të ambienteve mbështetëse të portit, të shoqëruar me një zonë të lirë tregtare, si dhe ndërtimin e një terminali rigazifikimi të gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe një centrali për prodhim energjie. Ky ligj ёshtё publikuar nё Fletoren Zyrtare nr.154, datё 16.08.2016.

Gjithashtu, edhe njё tjetёr detyrim prej 50 000 Euro (pesёdhjetё mijё Euro) qё shteti shqiptar duhet të paguajë si detyrim arbitrazhi për shkak të kompanisë Tirana International Airport sh.p.k. Nё lidhje me kёtё çёshtje, nga Avokatura e Shtetit nё datё 19.04.2019, ёshtё shpallur thirrja pёr sigurimin e konsulencës së huaj me qëllim mbrojtjen e interesave të shtetit Shqiptar, në kushtet e negocimit apo rishikimit të mundshëm të Marrëveshjes së Koncesionit të lidhur me Tirana International Partners SH.P.K, për Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Rinas, Tiranë. Detyrimi është i njohur nga Llogaritë e Shtetit.

Detyrime Arbitrazhi Potenciale.  Kostoja faktike e vlerёsuar dhe raportuar e detyrimeve të arbitrazhit ёshtё 109 485 296 Euro,  Disa çёshtje tё tjera tё hapura nё Arbitrazhin Ndёrkombёtar potencialisht mund tё sjellin kosto shtesё pёr buxhetin e shtetit nёse Vendimi i Gjykatave Ndёrkombёtare tё Arbitrazhit bёhet nё favor tё palёs private. Nё total detyrime potenciale qё mund tё materializohen nё kosto buxhetore shtesё janё nё vlerёn 300 milion  Euro. Nёse kёto vendime merren nё favor tё Bizneseve, kjo do tё sillte automatikisht rritjen e Detyrimeve tё Shtetit Shqiptar pёr Vendimet e  Arbitrazhit. Nё kёtё rast, vlera totale e detyrimeve tё Shtetit Shqiptar ndaj Arbitrazheve do tё ishte rreth  446 950 959 Euro.

Gjatё vitit 2020 janё regjistruar pranё Qendrёs Ndёrkombёtare pёr Zgjidhjen e Mosmarrёveshjeve tё Investimeve (ICSID) 3 çёshtje:

Durrёs KURUM Shipping sh.p.k dhe tё tjerё vs Shqipёria: Kjo çёshtje ёshtё iniciuar nё datё 23 Shtator 2020 nga kompania Durrёs Kurum Shipping dhe tё tjerё, ndaj shtetit shqiptar, pёr shkak tё prishjes sё njёanshme tё kontratёs sё koncesionit Pёr Menaxhimin, opeimin, mirёmbajtjen dhe pёrmirёsimin teknik tё terminalit tё kontenjerёve nё Portin e Durrёsit, si dhe pёr shkak tё marrjes sё aseteve tё terminalit nga Autoriteti Portual i Durrёsit. Sipas tё dhёnave tё publikuara nga ICSID, shuma e kompensimit e pretenduar nga kjo kompani ёshtё nё vlerёn 100 milionë Euro.

Arka Energy B.V vs Shqipёria:  Kjo çёshtje ёshtё iniciuar nё datё 18 Dhjetor 2020 nga kompania Arka Energy B.V, e cila ishte kompani pjesёmarrёse nё konsorciumin e shpallur fituese pёrmes njё procedure tenderi ndёrkombёtare, nga Ministria e Infrastrukturёs dhe Energjisё pёr ndёrtimin e Parkut Fotovoltaik nё Akёrni nё vitin 2018. Sipas tё dhёnave tё publikuara nga ICSID, dёmshpёrblimi i pretenduar nga kjo kompani ёshtё nё vlerёn 110 milionë Euro.

Costruzioni DONDI & KUBOTA CO. vs. Shqipёria: Kjo Çështje ёshtё iniciuar nё vitin 2018 nga  kompania Costruzioni Dondi & Kubota co., e cila ёshtё kompania zbatuese e kontratёs sё nёnshkruar në datën 30.01.2014, Për përmirësimin e Sistemit të Kanalizimeve të Tiranës së Madhe me vlerën rreth 81,000,000 Euro. Kontrata është ndërprerë në datën 04.07.2018 në mënyrë të njëanshme nga ana e Ministrisё sё Infrastrukturёs dhe Energjisё, në kundërshtim me marrëveshjen e financimit dhe me kushtet e kontratës së lidhur me kontraktorin, dhe deri në këtë datë, punimet ishin kryer rreth 70% ose në vlerën 56 Milion Euro. Për prishjen e kësaj kontrate në kundërshtim me marrëveshjen e financimit dhe me kushtet e kontratës, kontraktori ka hapur çështje në gjykatën pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, Londër. Shuma e pretenduar është 90 milionë Euro.

Sё fundmi, njё tjetёr vlerё qё i shtohet Buxhetit tё Shtetit shqiptar pёr tu paguar ёshtё rreth 45 367 986 Dollarё apo rreth 37 465 663 Euro, pёr Vendimin final tё marrё nё 1 Shtator 2020 nga Dhoma Ndёrkombёtare e Tregtisё me qёndёr Arbitrazhi Paris. Bёhet fjalё pёr Arbitrazhin mes Investitorit JV Copri Construction Enterprises e tё tjerё dhe Shtetit Shqipar. Pala paditёse nё kёtё rast JV Copri Construction Enterprises dhe tёtjerё kanё ngritur pretendime mbi:

  1. a) Kontratёn pёr “Ndërtimin e Segmentit Rrugor Tiranë-Elbasan Nr. 1; dhe
  2. b) Kontrata për “Ndërtimin e Segmentit Rrugor Tiranë-Elbasan Nr. 3

Pretendimet e paditësve lidhen me amendimet e parregullta të kontratës, pranimit të kostove shtesë dhe ndryshimit të projektit. Mё 1 Shtator 2020, Arbitrazhi IÇ shpalli fitues palёn private, duke i sjellё kosto buxhetit tё shtetit vlerёn e mёsipёrme prej rreth 45 367 986 Dollarё apo rreth 37 465 663 Euro. Kjo vlerё nuk ёshtё paraqitur ende nё publikimet e Ministrisё sё Financave dhe Ekonomisё, pavarësisht se është marrë vendimi final nga Arbitrazh IÇ.

Tё dhёnat pёr kёtё artikull janё marrё nga Raporti i Mes-Vitit mbi zbatimin e buxhetit 2019 dhe 2020, tё cilat janё dokumente zyrtare qё paraqesin një vlerësim të përgjithshëm të situatës ekonomike të vendit, të treguesve makroekonomikë, fiskalë dhe buxhetorë për periudhën 5-mujore të vitit korrent dhe publikohen nga Ministria e Financave dhe Ekonomisё. Gjithashtu burime tё tjera informacioni janё faqja zyrtare e Qendrёs Ndёrkombёtare pёr zgjidhjen e Mosmarrёveshjeve tё Investimeve (ICSID) si dhe Raporti Vjetor Mbi Zbatimin e Buxhetit te Shtetit 2018, i publikuar nga Kontrolli i Lartё tё Shtetit.