zoom

Aktualitet

Apeli vendos, SPAK konfiskon 6 pasuritë e Eldi Dizdarit. Kreu i kartelit “Bello” fshihet në Dubai

SPAK konfiskon me vendim të formës së prerë të Apelit të GJKKO, 6 pasuritë e një prej personazheve të njohura të botës së krimit shqiptar brenda dhe jashtë vednit, aktualisht i fshehur në Dubai dhe i akuzuar për drejtimin e kartelit të narkotrafikut “Kompania Bello” në Itali, nga Amerika e Jugut.

I njohur me dy emra, Eldi Dizdari, ish-bashkëshorti i ish-missit shqiptar Suada Sherifi dhe i përfshirë në zanafillën e masakrës së 4 tetorit 2018 në ish-Bllok, me 1 të vrarë e 3 të plagosur në përplasjen mes grupeve të Ervis Martinajt dhe Ervin Matës, ndodhet në arrati prej katër vitesh. Dubai e mban të ndaluar, por ka refuzuar ekstradimet si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali.

Ai akuzohet nga Italia për dosjen “Kompania Bello”, çunat që lidheshin e martoheshin me vajza të bukura apo ish-misse dhe drejtonin kartelin e kokainës nga Amerika e Jugut.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njoftoi sot se bazuar në ligjin Nr.10 192, datë 03.12.2009, ka paraqitur para Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për konfiskimin e pasurive të subjektit Denis Matoshi (Eldi Dizdari), i cili rezulton të jetë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma në Itali.

“Gjykata e Firences, me Vendimin nr. 9065/15 RGNR 56909/19 RG GIP, datë 25.11.2019, ka caktuar ndaj tij, masën e sigurisë “arrest me burg”, për kryerjen e veprës penale “organizatë kriminale me qëllim trafikimin e narkotikëve në sasi të mëdha”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Italisë. Sipas të dhënave të dërguara nga letërporosia italiane rezulton se, organizata kriminale në të cilën bën pjesë shtetasi Denis Matoshi, nga viti 2015 e në vazhdim, ka trafikuar në disa raste kokainë”, njoftoi SPAK.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me Vendimin nr.34, datë 22.12.2023, ka vendosur ndër të tjera, konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive.

Lista e tyre është si më poshtë:

-Pasuria e llojit “Njësi”, e ndodhur në Zona Kadastrale nr.8160, Rruga “Bajram Curri”, Tiranë, me sip. totale 198.1m2, në pronësi të shtetasit Denis Matoshi

-Pasuria e llojit “Garazh”, e ndodhur në Zona Kadastrale nr.8160, Rruga “Bajram Curri”, Tiranë, me sip. totale 14.3m2, në pronësi të shtetasit Denis Matoshi;

-Pasuria e llojit “Truall”, me sipërfaqe 5269 m2, Zona Kadastrale nr.8160, rruga “Dervish Hima”, Tiranë, pjesa takuese 2163/30000, në pronësi të shtetasit Denis Matoshi, pasuri që është në bashkëpronësi.

-Të drejtën e shtetasit Denis Matoshi, për të përfituar vlerën e shpronësimit nga Komisioni i Posaçëm për Shpronësim për shpronësimin në pasurinë me nr. 6/380, Zona Kadastrale nr.8160, rruga “Dervish Hima”, si bashkëpronar në këtë pasuri në pjesë takuese 120005/1680000, me vlerë paraprake të shpronësimit 8.180.125.82 lekë.

-Shuma e parave prej 40 000 (dyzetë mijë) Euro, ndodhur në llogarinë bankare të noterit;

-Pasuria e ndodhur në Zona Kadastrale nr.8310, Rruga “Gjergj Legisi”, Tiranë, e llojit “Apartament” me sip. totale 65.32m2, në pronësi të shtetasit B.Sh.;

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.100, datë 29.05.2024, ka vendosur: Lënien në fuqi të vendimit nr. 34, datë 22.12.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin zyrtar. /ZOOM.AL/